English

Berisha: 10 vite pas tragjedisë, flamuri i SHBA valëvitet më lartë se kurrë

Tiranë, 11 shtator 2011, NOA- Kryeministri i vendit Sali Berisha ka përkujtuar përvjetorin e dhjetë të tragjedisë së 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nëpërmjet një mesazhi të dhënë me këtë rast kreu i Qeverisë shqiptare shprehet se, ndonëse kanë kaluar dhjetë vjet nga tragjedia që tronditi gjithë botën, sot flamuri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës valëvitet më lartë se kurrë. Në vijim Kryeministri Berisha thekson se, 11 Shtatori është një apel për të gjithë njerëzit e lirë për një qëndrim të vendosur ndaj urrejtjes, intolerancës dhe fanatizmit të çdo lloji e të çdo ngjyre.

Mesazhi i plotë i Kryeministrit Berisha: Sot familjet e viktimave, kombi i madh amerikan, miqtë e tyre të lirisë në mbarë botën, përulen me nderim të thellë në kujtim të mijëra burrave dhe grave, djemve dhe vajzave, fëmijëve e të moshuarve që humbën jetën 10 vjet me parë nga sulmi barbar terrorist në New York, Washington dhe në Pensilvani. Me këtë akt terrorist, më mizorin në historinë e kohërave, ideatorët dhe ekzekutorët e tij besonin se do të mund të përkulnin flamurin amerikan, flamurin e vendit më të lirë e më të fuqishëm të planetit. Sot pas 10 vitesh ky flamur valëvitet më lartë se kurrë. Sot, pas 10 vitesh, familjet e atyre që humbën jetën nga ky sulm, qytetarët e SHBA, miqtë e tyre në mbarë boten, kujtojnë këtë datë dhe nderojnë kujtimin e viktimave të 11 shtatorit pasi ideatorët, sponsoret, mbështetesit, organizatorët e tyre, Sudanët e Bin Ladenët dhe të tjerë të ngjashëm me ta, kanë marrë ndëshkimin më të merituar. Shqipëria dhe shqiptarët, por dhe vendet e lira, u janë mirënjohes qeverisë së SHBA dhe kombit amerikan për udhëheqjen e vendosur të luftës kundër terrorizmit botëror dhe arritjet historike në këtë luftë. Shqipëria dhe shqiptarët ndihen krenarë se qendrojnë të rreshtuar me mikun e tyre të madh në mbështetje të kësaj lufte gjatë këtyre 18 viteve duke dhënë kontributin e tyre modest në rezultatet e saj. 11 Shtatori është një apel për të gjithë njerëzit e lirë për një qëndrim të vendosur ndaj urrejtjes, intolerancës dhe fanatizmit të çdo lloji e të çdo ngjyre. a.y/NOA

Në foto: Kryeministri Sali Berisha

KOMENTE