Nga Richard Heinberg Kriza ekonomike që filloi në vitin 2007-2008 ka qenë sa e parashikueshme aq dhe e pashmangshme. Kjo krizë shënon një kthesë të thellë, të përhershme pas disa dekadash zhvillim- pas një periudhe kur ekonomistët përhapën mendësinë e gabuar se rritja ekonomike e vazhdueshme është e nevojshme dhe e mundur për tu arritur. Tashmë janë krijuar pengesa të pakapërcyeshme ndaj rritjes së mëtejshme ekonomike dhe bota po përplaset me këto pengesa.
Kjo nuk do të thotë se SHBA-ja ose bota nuk do të kenë më një tremujor apo vit tjetër me rritje ndaj periudhës së mëparshme. Por nëse shikojmë trendin e përgjithshëm të ekonomisë (të matur në prodhim dhe konsum të mirash materiale) ky trend do të jetë i sheshuar ose në rënie, jo në rritje, që këtej e tutje.
Nuk do të jetë e pamundur për një rajon, shtet, ose biznes që të vazhdojnë të rriten dhe për ca kohë. Disa do të vazhdojnë dhe për një farë kohe. Por nëse shikojmë më thellë kjo rritje do të arrihet në kurriz të rajoneve, shteteve dhe bizneseve të tjera. Që këtej e tutje do të ketë vetëm zhvillim relativ: ekonomia botërore është në një lojë me shumatore 0, ku torta për tu ndarë midis fituesve është gjithmonë e më e vogël. Përse nuk do të ketë më rritje?
Shumë ekspertë financiarë fajësojnë problemet e thella brenda ekonomive-përfshirë borxhet e mëdha, të pa-rikthyeshme, publike dhe private, si dhe plasjen e flluskës së pasurive të paluajtshmë—si kërcënime aktuale për rimëkëmbjen e rritjes ekonomike. Prezumimi zakonisht është se kur këto probleme të zgjidhen rritja ekonomike do të mund të rifillojë. Por të ashtëquajturit ekspertë zakonisht nuk marrin parasysh faktorët jashtë ekonomisë, faktorë të cilët e bëjnë ri-fillimin e rritjes ekonomike të pamundur. Kjo nuk është një gjendje e përkohshme, por është e përhershme.
Gjithsej, siç do të shpjegojmë dhe në kapitujt në vijim, ka 3 faktorë kryesorë që pengojnë rritjen e mëtejshme ekonomike:
· Shterimi i burimeve të rëndësishme natyrore, përfshirë burimet fosile dhe mineralet;
· Shtimi i degradimit ambjental si pasojë e nxjerrjes dhe përdorimit të burimeve natyrore (përfshirë përdorimin e burimeve fosile). Degradimi ambjental sjell kosto gjithmonë e në rritje si direkte, ashtu dhe indirekte për shkak të përpjekjeve për shmangjen dhe pastrimin e ndohtjes, dhe.
· Tronditjet financiare për shkak të paaftësisë së sistemeve tona aktuale monetare, bankare dhe të investimeve, që të përshtaten ndaj pakësimit të burimeve natyrore dhe rritjes galopante të kostove ambjentale. Si dhe për shkak të paaftësisë së këtyre sistemeve që të paguajnë borxhet e jashtëzakonshme publike dhe private që janë krijuar gjatë 2-3 dekadave të kaluara.
Tendenca e analistëve financiarë është që të fokusohen në faktorin e fundit , por në fakt mund të tregohen me mijëra shembuj të viteve të fundit të cilat ilustrojnë se si këta tre faktorë kanë ndërvepruar me njëri-tjetrin dhe po japin fuqishëm efektet e tyre.
Psh.: katastrofa e derdhjes së naftës në vitin 2010 në SHBA, Gjiri i Meksikës. BP-ja po shponte për naftë në ujëra të thella në Gjirin e Meksikës dhe kjo tregon një tendencë globale: bota nuk rrezikohet nga mbarimi i naftës së afërmi, por shumë pak naftë po zbulohet në zonat afër bregut ku shpimi dhe nxjerrja janë dhe me kosto më të ulët. Zonat afër bregut janë të eksploruara dhe fushat naftëmbajtëse të tyre janë duke u shteruar. Sipas Agjensisë Ndërkombëtare të Energjisë, rreth 40% e prodhimi botëror të naftës do të vijë nga rajonet në det të thellë. Pra industria e naftës, që të vazhdojë furnizimin me naftë do të detyrohet të mbajë platforma në ujëra të thella të oqeanit, megjithë kostot, rreziqet dhe vështirësitë. Kjo do të thotë shtrenjtim të naftës.
Pasojat në ambjent të rrjedhjes së naftës në Deepwater Horizon ishin të rënda. As SHBA, as industria e naftës nuk mund ti lejojnë vetes një aksident tjetër të përmasave të tilla. Prandaj në vitin 2010 administrata Obama miratoi një moratorium për shpimet në det të thellë në Gjirin e Meksikës dhe është duke krijuar rregulla të reja shpimi. Kurse shtetet e tjera filluar të rishikonin rregullat e tyre mbi ekplorimin në det. Kjo do të bëjë të mundur pakësimin e shanseve për fatkeqësi të tilla të mëdha, por do të shtojë kostot e biznesit dhe të prodhimit të naftës. Aksidenti gjithashtu tregon në një farë mase efektin negativ që kanë shterimi i burimeve dhe dëmtimi i ambjentit në institucionet financiare. Kompanitë e sigurimeve janë shtrënguar të rrisin premiumet e sigurimit për aktivitetet e shpimeve në det, kurse industria e peshkimit në Gjirin e Meksikës është dëmtuar rëndë. Një pjesë e dëmeve ekonomike u mbuluan nga BP. Kjo e fundit u detyrua të ri-organizohet dhe aksionet e saj humbën vlerë në bursa, investitorët në këto aksione gjithashtu pësuan humbje. Problemet financiare të BP-së ndikuan në fondet britanike të pensioneve të cilat kishin investuar në BP.
Kjo që treguam është vetëm një ngjarje-një ngjarje spektakolare. Po të ishte një problem i izoluar, ekonomia mund të rimerrte veten. Por po shohim, dhe do të shohim, një sërë fatkeqësish natyrore dhe ekonomike, në pamje të parë të pavarura nga njëra tjetra-të cilat do të avullojnë rritjen ekonomike në shumë mënyra. Këto përfshijnë ndër të tjera: · Ndryshimet klimatike që do shkaktojnë thatësira rajonale, përmbytje, madje dhe kriza buke; · Pakësimi i ujit dhe energjisë; dhe · Falimentime në rradhë të bankave, bizneseve, si dhe shitje e shtëpive të hipotekuara. Secila prej këtyre trajtohet si problem më vete, problem për tu zgjidhur që ti rikthehemi normalitetit. Por këto janë probleme të ndërlidhura, sepse janë probleme të një popullsie njerëzore në rritje që përpiqet të rrisë konsumin për frymë të burimeve të shterueshme (përfshirë dhe burimet fosile, të cilat janë të parinovueshme dhe kontribuojnë në ndryshimin e klimës). E gjithë kjo po ndodh në një planet të fundëm dhe të brishtë.
Ndërkohë, dekada të tëra brumbullimi borxhesh ka krijuar kushtet për një kolaps financiar të rrallë- i cili po shpaloset rreth nesh dhe është në gjendje të krijojë pakënaqësi të madhe politike dhe vuajtje njerëzore. Rezultati: po shikojmë stuhinë perfekte të krizave në ardhje të cilat së bashku përfaqësojnë një çast vendimtar në historinë e species sonë. Ne jemi dëshmitarë dhe pjesëmarrës të tranzicionit nga dekada rritjeje ekonomike në dekada kontraksioni ekonomik. Përse ka kaq shumë rëndësi rritja? Gjatë 2-3 shekujve të kaluar rritja ka qenë pothuajse metri i vetëm i mirëqënies ekonomike. Kur ekonomia rritej, punësimi rritej dhe investimet sillnin më shumë të ardhura. Kur ekonomia ndërpriste përkohësisht rritjen, siç ndodhi gjatë depresionit të madh, financat sëmureshin. Gjatë gjithë kësaj periudhe, popullsia e botës është rritur-nga më pak se 2 miliard njerëz në vitin 1900 në 7 miliard njerëz sot. Dhe po shtojmë 70 milion “konsumatorë” të rink çdo vit. Kjo i jep më shumë rëndësi rritjes së mëtejshme: nëse ekonomia do të jetë në stanjacion, do të qarkullojnë më pak të mira materiale për frymë. Rritja ekonomike ka shërbyer për “zhvillimin” e ekonomive më të varfëra të botës; pa rritje është e mundur që me qindra miliona, ndoshta miliarda, njerëz nuk do të arrijnë as versionin më të thjeshtë të jetesës konsumeriste që gëzojnë popujt në vendet e industrializuara të botës.
Së fundmi, ne kemi krijuar sisteme monetare dhe financiare të cilat e kanë domosdoshmëri rritjen. Për sa kohë ekonomia është në rritje, që do të thotë ka më shumë para dhe kredi, pritshmëritë janë të larta, njerëzit blejnë më shumë të mira, bizneset marrin më shumë borxhe dhe interesi mbi borxhet shlyhet me lehtësi. Por nëse në sistem nuk futet më shumë para e re, interesi mbi kreditë në shlyerje nuk arrihet të paguhet. Si rezultat borxhet e këqija shumëfishohen, humben vende pune, ulen të ardhurat dhe pakësohet konsumi-kjo bën që bizneset të marrin më pak borxhe dhe në ekonomi të hyjë edhe më pak para. Ky është një rreth vicioz, fidbeku pozitiv i cili pasi ka filluar ndërpritet me vështirësi. Me fjalë të tjera, ekonomia nuk arrin një gjendje stabiliteti ose neutrale: ka ose rritje, ose reçesion. Dhe “reçesioni” është një eufemizëm për Depresionin-një periudhë e gjatë papunësie, ekzekutimi pronash, borxhesh të këqija dhe falimentimesh. Jemi mësuar kaq shumë me rritjen saqë kemi harruar se është një fenomen që ka ndodhur vetëm së fundmi. Gjatë mijëravjeçarëve të kaluara, kur perandoritë ngriheshin dhe binin, ekonomitë lokale rriteshin dhe zvogëloheshin-por aktiviteti ekonomik botëror u zgjerua gradualisht, me intervale të rregullta prapakthimi. Por me revolucionin e burimeve fosile të 2 shekujve të kaluar, kemi parë një rritje që ka shpejtësi dhe përmasa të papara në historinë njerëzore. Ne shfrytëzuam energjinë e qymyrit, naftës dhe gazit natyror për të ndërtuar dhe punuar makinat, kamionët, autostradat, aeroportet, aeroplanët dhe rrjetet elektrike-të gjitha karakteristike për shoqërinë moderne industriale. Përmes proçesit të papërsëritshëm të nxjerrjes dhe djegjes së energjisë diellore të ruajtur në burime fosile gjatë qindra miliona vjetëve, ne ndërtuam një makinë që për një moment të shkurtër, të shkëlqyer, dukej si makina e rritjes së përjetshme. Ne menduam se kjo situatë e jashtëzakonshme është e rëndomtë, normale. Por me përfundimin e epokës së burimeve të lira dhe të bollshme fosile, arësyetimet tona për rritje të vazhdueshme janë duke u tronditur. Fundi i rritjes është shumë i rëndësishëm në fakt. Ai kupton fundin e një epoke, dhe të mënyrave tona aktuale të organizimit të ekonomisë, politikës dhe të jetës së përditshme. Pa rritje, do të na duhet pothuaj ri-krijojmë jetën e njeriut mbi Tokë. Ka rëndësi të kuptojmë rëndësinë e këtij momenti historik: nëse kemi arritur vërtet fundin e epokës së rritjes ekonomike të bazuar mbi burimet fosile, atëhere përpjekjet e politikanëve për rritje ekonomike janë iluzione. Nëse udhëheqësit botërorë nuk kuptojnë situatën e vërtetë atëhere me shumë mundësi do të vonojnë krijimin e infrastrukturës mbështetëse që do të bëjë të mundur mbijetesën në një ekonomi jo në rritje. Dhe pothuaj me siguri nuk do të arrijnë të bëjnë ndryshimet e nevojshme, radikale në sistemet monetare, financiare, të ushqimit dhe të transportit. Për pasojë çfarë mund të ishte një periudhë e dhimbshme por e përballueshme adaptimi mund të bëhet tragjedia më e madhe e historisë. Mund të mbijetojmë fundin e rritjes, por vetëm nëse kuptojmë dhe veprojmë siç duhet." NOA Perkthim nga libri "The end of growth" i autorit Richard Heinberg.