Prishtinë, 11 shtator 2011, NOA- Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga nëpërmjet një deklarate reagoi sot, lidhur me dhjetë vjetorin e sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fjalën e saj Jahjaga shprehet se, dhjetë vjet pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 mbi Qendrën Tregtare Botërore në New York dhe mbi Pentagon në Washtington, të cilat tronditën botën e civilizuar, është shumë e qartë për të gjitha forcat përparimtare në gjithë rruzullin, se terrorizmi është rreziku më i madh dhe më serioz për shoqërinë njerëzore sot dhe askush nuk mund të injorojë ose të qëndrojë indiferent ndaj këtij kërcënimi. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës, udhëheqja dhe qytetarët e saj, si gjithnjë në histori, e mundën edhe këtë tragjedi të madhe, duke treguar forcën dhe madhështinë e tyre. Duke luftuar terrorizmin, si një të keqe shumë të madhe dhe një rrezik permanent për botën, ato treguan se e ardhmja e njerëzimit është demokracia dhe përparimi”, thuhet në deklaratën e Presidentes së Kosovës. Në vijim ajo e cilëson këtë përvjetor të dhimbshëm duke shprehur solidaritetin më të madh me familjarët e viktimave. Sipas saj, sulmi i shëmtuar i 11 shtatorit duhet të shërbejë si kujtesë e përhershme për gjithë njerëzimin se një gjë e tillë nuk duhet lejuar të ndodhë më kurrë. Në përfundim të qëndrimit të saj Presidentja Jahjaga shprehet se, “Institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, duke e ndjerë në çdo hap përkrahjen dhe ndihmën e vazhdueshme të SHBA-ve, janë të përkushtuara për një shoqëri njerëzore ku nuk do të ketë më asnjëherë vend për terrorizmin dhe marrjen e jetëve të pafajshme dhe janë të palëkundura për të punuar fuqishëm për një botë më të mirë”. a.y/NOA
Në foto: Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga