Tiranë, 11 shtator, NOA – Në 10- vjetorin e sulmeve mbi kullat binjake në SHBA, Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, (MPJ) ka konfirmuar angazhimin e vendit tonë në frontin e luftës kundër terrorizmit. “Në këtë ditë simbolike, të ngadhënjimit të paqes ndaj dhunës, konfirmojmë sërish vullnetin e palëkundur se Shqipëria do të vazhdojë të jetë në linjën e parë, në përmbushjen me përkushtim të angazhimeve të saj përkrah aleatëve dhe partnerëve të NATO-s, për të realizuar me sukses luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe garantimin e paqes dhe sigurisë në botë”, thuhet në deklaratën e bërë sot nga MPJ për 10 vjetorin e sulmeve. Duke ju referuar ngjarjes, MPJ thekson se 11 shtatori i viti 2001, shokoi mbarë botën, por, njëkohësisht, shënoi edhe një epokë të re në angazhimin në një koalicion të të gjithë popujve që kanë përqafuar parimet universale të lirisë kundër kërcënimit terrorist e paqes. “Ne i qëndrojmë sot në krah popullit amerikan për të përkujtuar me dhimbje të thellë humbjen e rreth tre mijë qytetarëve të pafajshëm, mes të cilëve edhe bashkëkombës shqiptarë dhe i shprehim solidaritetin dhe mbështetjen tonë gjithë familjarëve që humbën njerëzit e tyre të dashur”, thuhet në deklaratë. Duke e cilësuar si një ngjarje të rëndë, MPJ thekon se Shqipëria bën pejsë në vendet e para që ju bashkua Amerikës. “Shqiptarët ndihen krenarë që ishin ndër të parët që dënuan fuqishëm këtë sulm barbar dhe iu bashkuan koalicionit ndërkombëtar anti-terrorizëm të udhëhequr nga SHBA. Në këto 10 vite, ky koalicion ndihmoi popullin e Afganistanit të çlirohet nga tirania ekstremiste dhe, sot, po e ndihmon në rindërtimin e vendit”, thuhet në deklaratë. a.k/NOA