Tiranë, 11 shtator, NOA - Policia Bashkiake e Tiranës dhe efektivat e komisariatit numër 1 në Tiranë kanë ndaluar tre persona pasi dyshohen si autor të prerjes së pemëve në Parkun e Liqenit. Të arrestuarit janë; Dritan Marku, Ardian Dervishaj dhe Shkelzen Shehu. Sipas Policisë Bashkiake tre të arrestuarit, gjatë muajve të fundit, kanë prerë një numër të madh pemësh. Ata vepronin gjatë orëve të vona të natës me sharra elektrike dhe i transportonin pemët e prera me një furgon. Pas ndalimit nga ana e policisë, tre personat kanë pretenduar se prisnin pemët e rrëzuar. Ndërkohë që nga verifikimi rezultoi se ata prisnin pemët e rregullta, duke bërë një dëm kolosal. Policia Bashkiake në bashkëpunim me forcat e Komisariatit numër 1 në Tiranë, sekuestruan edhe mjetet që ata përdornin, dy sharra elektrike, dy radio ndërlidhëse si dhe një furgon me targa të falsifikuara që përdorej për transportin e drurit. a.k.NOA