English

Si u pa nga hapësira sulmi i 11 shtatorit, NASA publikon fotot unike të momentit tragjik

E diel, 11 shtator 2011, NOA – Edhe Agjencia Amerikane e Hapësirës NASA përkujtoi sot afro tre mijë viktimat e tragjedisë së 11 shtatorit të 10 viteve më parë, një masakër që ndryshoi historinë e superfuqisë së botës, SHBA-ve. NASA e përkujtoi në një mënyrë të veçantë këtë tragjedi, duke publikuar fotografitë unike të Nju Jorkut të shkrepura në momentin tragjik nga i vetmi amerikan, i cili atë ditë nuk ndodhej në tokë, por në qiell, astronauti amerikan Frank Culbertson. Culbertson ishte dërguar nga NASA me një mision në bordin e Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar Iss. Komandanti i ekspeditës së tretë ishte i vetmi amerikan i ekuipazhit. Menjëherë pas sulmit terrorist që shokoi Amerikën mbarë dhe botën, Frank Culbertson nisi të dokumentojë nga lart sulmin posa mësoi se ishin goditur dy kullat binjake të Nju Jorkut apo Qendrës Tregtare Botërore. Kjo gjë ndodhi menjëherë, edhe për faktin se stacioni Iss ishte duke fluturuar pikërisht mbi këtë zonë të Nju Jorkut, që sot ka marrë emrin Ground Zero. Në orët e para pas sulmit terrorist Culbertson arriti të fotografojë pamje unike që tregojnë qytetin e Nju Jorkut të përshkuar dhe të mbytur nga një shtyllë e dendur tymi, e cila mund të shihej ende nga hapësira edhe një ditë pas tragjedisë. “Nuk e dija tamam ç’po ndodhte, por kuptova se po ndodhte diçka e tmerrshme. Pasi shihja një re të dendur tymi të zi që dilte mbi Manhattan”, rrëfen astronauti amerikan Culbertson përmes një videoje përkujtimore që NASA publikoi në sitin e saj në internet për të kujtuar 10-vjetorin e tragjedisë. “Ishte tejet e dhimbshme, thotë Culbertson ai, “ngase ishte njëlloj si të shihje një plagë të hapur që kullonte në krahun e vendit tënd, të familjes tënde, të miqve të tu...” Në 12 shtatorin e vitit 2001 Frank Culbertson publikoi edhe një letër ku përmblidhte të parat mendime të tij mbi tragjedinë amerikane, ashtu siç ai e përjetoi nga hapësira. “Bota sot ka ndryshuar”, shkruante asokohe astronauti në letër, duke shtuar se çdo gjë që ai thoshte e bënte ishte tejet e vogël përballë asaj që i kishte ndodhur Atdheut të tij në ditën që u sulmua, një ditë që do të mbetet ndoshta më e dhimbshmja e më shokuesja për çdo amerikan. mit/NOA

Foto e astronautit Frank Culbertson nga hapësira

KOMENTE