English

Topi- Obamës: Solidaritet me familjarët e viktimave dhe popullin amerikan

Tiranë, 11 shtator 2011, NOA- Pas vizitës së ngushëllimit në familjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi të ekzekutuar në Vlorë, Presidenti i vendit Bamir Topi i ka dërguar një mesazh ngushëllimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama. Me rastin e dhjetë vjetorit të tragjedisë, Kreu i Shtetit shqiptar ka shprehur solidaritetin duke bashkuar lutjet për viktimat. Ai e ka cilësuar si detyrë të të gjithë kombeve luftën kundër terrorizmit.

Mesazhi i Presidentit Topi: “I nderuar President Obama, Me rastin e përvjetorit të dhjetë të sulmeve kriminale të terroristëve të Al Kaedës kundër kullave WTC në Nju Jork, ku humbën jetën tre mijë shtetas amerikanë të pafajshëm, ju shpreh Juve dhe gjithë popullit mik amerikan solidaritetin tim më të sinqertë duke u bashkuar me lutjet tuaja që shpirtrat e tyre të prehen të qetë në parajsë. Është detyrë e gjithë popujve dhe qeverive të mbarë botës të bashkohen në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar si armik i paqes dhe i sigurisë globale. Populli shqiptar ka qenë dhe do të mbetet edhe në të ardhmen përkrahë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kështjellës më të madhe të demokracisë dhe të paqes sot në botë. Në çdo moment historik për kombin shqiptar ne kemi patur përkrahë mbështetjen e fuqishme të popullit dhe të qeverisë amerikane. Në këto momente të përkujtimit të mijëra viktimave të pafajshme, ne i shprehim edhe një herë solidaritetin më të madh të gjithë familjarëve të viktimave dhe gjithë popullit amerikan. I paharruar qoftë kujtimi i tyre!” a.y/NOA

KOMENTE