Nga Fatbardha Demi “Për ata që këmbëngulin të kërkojnë lirinë, nuk ka detyrë më urgjente se sa për të njohur mekanizmat dhe praktikat e indoktrinimit. Kjo njohje është e lehtë në shoqëritë totalitare, por shumë e vështirë në shoqëritë e “lira” të shpëlarjes së trurit në të cilat jetojmë, ku shumë herë, me dëshirë apo në mënyrë të pavullnetshme, bëhemi instrumente të tyre”. Noam Chomsky Një shtojcë ligjit e diktuar nga Greqia Në fillim të muajit tetor 2011 do të fillojë regjistrimi i popullsisë në Shqipëri. Një veprim i domosdoshëm si për statistikat shtetërore, ashtu edhe për veprimtarinë e ardhshme të fushave të ndryshme si politike, ekonomike,kulturore etj. Por çuditërisht, këtij regjistrimi të zhvilluar edhe në shtetet e tjera europiane, për praktikën shqiptare, i shtohet edhe një “bisht” i kërkuar me ngulm nga fqinji ynë jugor, Greqia, për të qenë të qartë për numrin e minoriteteve në Shqipëri. Duhet vënë në dukje se vetë ky shtet “demokratik”, megjithëse njihen shumë mirë minoritetet e ndryshme që jetojnë brënda territorit të tij si : shqiptarët autoktonë, vllehë, turq, sllavë, bullgarë etj, mohon ekzistencën e tyre dhe nuk e praktikon regjistrimin me vetdeklarim të kombësisë. Çfarë përfaqësojnë shqiptarët Për të kuptuar se ç’farë përfaqëson për shqiptarët, procesi i regjistrimit me vetdeklarim, duhet të kemi të qartë: Së pari – se për probleme të kësaj natyre, për të korrigjuar deformimet apo mohimet e kombësive në periudhat e mëparshme (siç pretendohet), në kohën e shteteve demokratike, funksionojnë të gjitha mjetet e nevojshme, siç është gjendja civile dhe gjykatat. Në thelb, anashkalimi i institucioneve shtetërore të lartpërmëndura që tregojnë përkatësinë etnike të qytetarit, dëshmon mohimin e Shtetit dhe keqpërdorimin e parimit të “të drejtave të njeriut”. Pra, njeriu vendoset mbi Ligjin dhe mbi Shtetin. Në bazë të deklaratave “të lira” të individëve, duhet të ndryshohen detyrimisht edhe dokumentet shtetërore. Atëherë përse na duhen institucionet shtetërore ? Perse na duhen gjykatat kur mund të bëjmë “vetëgjyqësi”? Kjo rrugë, siç është dëshmuar edhe në Shqipëri, çon ujë në kundërshtimin e individit ndaj ligjeve të shtetit dhe cënimit të sovranitetit të tij. (Të kujtojmë kërkesën e V.Bollanos “minoritar” drejtuar Parlamentit grek). “Vetdeklarimi i kombësisë” nuk kishte si të gjente vend në udhëzimet e BE-së e përbërë nga shtete, që në historikun e krijimit të tyre kanë zhvilluar një politikë të ashpër për asimilimin e popujve me etni të ndryshme, siç mbahet tipik rasti i Francës, apo në Ballkan, ai i Greqisë. Së dyti - Në kohën parapërgatitore për regjistrimin e popullsisë, janë zhvilluar, në TV dhe shtyp, tema të shumta mbi shfrytëzimi politik të miteve nga ana e Rilindasve për “ndërtimin” e Kombit shqiptar (me i vonuari ne Ballkan-sipas të ftuarve), dhe barazimin e tij me “identitetin nacional” te shteteve europiane dhe ballkanike. Duhet kuptuar ndryshimi midis “identitetit nacional, qytetarisë” që synoi dhe vazhdon të synojë edhe në ditët e sotme të marrë atributet e kombit (gjuhën, simbolet, trashëgimi folklorike, epope të lashta etj ) dhe “përkatësisë etnike” (emërtimi “komb” është i ri, që ka zëvëndësuar kuptimin e emërtimit “të një fare” apo “të një gjaku, fisi etj” siç e gjejmë të shprehur në dokumente dhe shkrime të ndryshme historike). Në studimet shqiptare nuk përmendet fakti i njohur edhe nga shkenca historike botërore, për ekzistencën e “kombeve natyrale”apo “historike”, siç emërtohen nga studiuesit e shoqërisë njerëzore, të cilët nuk kanë qenë “prodhim” i Shteteve. Kombi shqiptar është Komb Historik, ekzistenca e të cilit është njohur që në lashtësi me të gjitha elementet e saj; gjuhën, simbolet, traditat, zakonet dhe besimin e tij. Këto veçori janë formuar gradualisht gjatë mijravjeçarëve dhe janë përcjellë gjatë shekujve deri në ditët tona. Këto veçori të kombësisë kanë luajtur rol dallues, dhe jo përjashtues të etnive të tjera, siç komentohet sot kur flitet për “identitetet nacionale”. Ja përse në faqet e Historisë së Ballkanit të shek 18-20 nuk flitet për asnjë pushtim, dhunë apo shovinizëm të kombit shqiptar. “Gjithë shkronjësit’ e Evropës kanë shkruar e mirë për na ; na dinë trima e burra të besës, na njohinë si më të vjetërinë komp t’Evropësë …” (f. 52 S.Frasheri “Gjuha shqipe” Vepra I Tirane 1988) Ishte Kombi shqiptar, ay që luftoi të krijonte Shtetin e vet dhe jo e kundërta, siç ndodhi në Europën e shek. 18-19 në prag të epokës moderne. Siç vëren sociologu polak Zygmunt Bauman; “Idea e identitetit dhe e identitetit nacional veçanrisht, nuk është një lindje “natyrale” e përvojës së shoqërisë njerëzore, nuk vjen nga kjo përvojë...Është një ide e futur me forcë...” (f. 19 Z.B “Intervista sull’Identita” Gius,Laterza & Figli 2006) Ky përcaktim është pohuar nga të gjithë studiuesit e shoqërisë njerëzore. Rilindësit, nuk luftuan për krijimin e “kombit shqiptar”, një mashtrim që dëshmon analfabetizmin historik, në rastin më të thjeshtë, dhe anti-kombëtarizmin, në rastin më të rënde, të atyre që e theksojnë këtë. Ata luftuan për ndërgjegjësimin e shqiptarëve, për rrugën që duhej ndjekur për të shpëtuar jo vetëm nga sunduesi osman, por edhe lakmive të shteteve të vjetra dhe të reja, që u çfaqën rrezikshëm në fund të shek. 19. Për të mbrojtur ardhmërinë e farës së vet dhe trojeve të rrezikuara, nevoitej një shtet i fortë e i zhvilluar, një elitë e ditur dhe një popullsi e shkolluar. Kjo ishte platforma e Rilindasve dhe jo formimi i Kombit shqiptar, që kishte shumë shekuj që ekzistonte. Ata botuan libra dhe shkruan artikuj të shumtë, për t’iu a bërë të ditur këtë fakt Fuqive të Mëdha, si dhe propoganduan vlerat historike, kulturore, gjuhësore dhe hapsirën territoriale që zinte kombi shqiptar, për publikun dhe politikanet europiane, roli i të cilëve për fatin tonë qe vendimtar. Pra, Kombi shqiptar, në dallim nga “identitetet nacionale” të shteteve europiane të shek. 18,19 (përfshirë këtu edhe të Ballkanit) është krijuar përpara Shtetit shqiptar. Kombësia, me elementet e saj (gjuhën, zakonet, simbolet, besimin, kulturën tradicionale etj) qe përcaktuese në formimin e tipareve karakteristike të shqiptarëve, dhe sa mund të ndryshojë njëriu genet e tij, aq mund të ndryshojë edhe përkatësinë e tij, që fillon të formohet që me ninullat e djepit. “Megjithë pushtimet e shumta e të vazhdueshme nga ana e romakëve, Bizantit, të normanëve, të bullgarëve, të serbëve, të italianëve, të turqve, ata sot paraqisin shfaqjen e rrallë e interesante të kombësise, të ruajtur pastër e të pa infektuar gjatë shekujve” (Pjesë nga artikulli i botuar në korrik 1917 “Quarterly Revieë” f 305 I.Qemali “Kujtime”) Siç ndodh edhe në natyrë, ku çdo specie (edhe sot e kësaj dite) ka skarcitetet e saj. “Në qoftëse do të pyesnim fshatarin e parë, kujt populli i përket ti ? Ai do të përgjigjet shkurt dhe qartë: Unë jam Shqypëtar! Dhe këtë përgjigje do ta japin…qoftë ata mysliman, katolikë ose ortodoksë” (f. 23 P.Vasa “Evërteta mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët”) Një pyetjeje të ngjashme, edhe gjatë shek. 20, jo të gjithë qytetarët europianë kanë mundur t’i japin përgjigje. “Pak përpara shpërthimit të luftës së fundit botërore (1939-45), në vëndlindjen time, Poloninë, u bë regjistrimi i popullsisë. Polonia në atë kohë ishte një shtet multietnik...Ju dhanë (regjistruesve-shën im) udhëzime për të pyetur çdo qytetar të Shtetit polak, të deklaronte përkatësinë e vet nacionale...njerëzit e pyetur nuk arrinin të kuptonin domethënien e fjalës “nacion” ose “të kesh nacionalitetin” ...Qytetarët e regjistruar vazhdonin me këmbëngulje të jepnin përgjigjen e vetme që kishte kuptim për ta :”jemi nga ky vend”, “jemi nga kjo zonë”, “jemi prej këtej”...Polonia nuk ishte sigurisht rast i vetëm dhe nuk do të ishte edhe i fundit i kësaj natyre. Jo shumë vite me vonë, një kërkues francez dëshmoi se, pas dy shekujsh të nation-building (ndërtimit të shtetit-shën im) për shumë francezë të fshatit, atdheu kishte një diametër që nuk i kalonte 20 km (f. 16 Z.B.) Ballkani është trevë tipike e formimit të sforcuar të “identiteteve nacionale”. Anglezja, Edit Durham, që ishte dëshmimtare e ngjarjeve ballkanike të fillimit të shek. 20, pak kohë pas formimit të Shteteve në Gadishull, vëren: “Janë shpenzuar shuma të mëdha të hollash, vetëm e vetëm për t’i bërë bullgarë. Po këto shuma do të nevoiteshin për t’i bërë ata po me aq lehtësi edhe sërbë.” (f. 76 E.Durham “Brenga e ballkanasve” 2000) Kërkesa për vetdeklarimin e kombësisë (me ndihmën e “pensioneve” të majme), e aprovuar edhe nga Kuvendi ynë, megjithëse bëhet në emër të “kohëve moderne” të europianizmit, është në thelb, përsëritje e kopjes më të shëmtuar të ngjarjeve historike të shek. 19, 20. Se treti : Për të kuptuar rrugën e shtrembër që kërkohet të ndiqet me anën e vetdeklarimin të kombësisë, duhet kuptuar baza filozofike e “identitetit nacional” si konflikt (sipas disa teorive) të “vullnetit të shumicës” me “interesat e individit” dhe të “grupit më të madh” ndaj “grupeve më të vogla” brënda dhe jashte Shtetit, e trajtuar nga studiues të ndryshëm në kohën e sotme, nga e ka burimin edhe teza se : Shkaktarë të ngjarjeve të përgjakshme në gadishullin tonë, janë nacionalizmat ballkanike. Si i tillë “Identiteti nacional” është komentuar si shprehje e “luftës”. “ Në periudhën e shtet-ndërtimeve, shpata e identitetit ka vringëlluar në luftë nga të dyja anët : nga njëra anë në mbrojtje të gjuhëve, kujtimeve, traditës dhe mënyrës së jetesës lokale kundër “atij të kapitalit” që nxitin homogjinitetin dhe kërkojnë njesimin ; dhe nga ana tjetër në “kryqëzatën kulturore” e udhëhequr nga mbështetësit e unitetit shtetëror që synon të shkulë “provincjalizmin” … të komuniteteve apo etnive lokale”.(f. 74 Z.B.) Por a ka qënë vërtetë fajtor “identiteti nacional”? Duhet të kemi parasysh, se rrallë herë në analizat politike apo historike përmendet “nacionalizmi ekonomik” i shfaqur si pararendës dhe frymëzues i krijimit “të identiteteve nacionale”. Lindjen e nacionalizmit ekonomik, historiani amerikan i ekonomisë Rondo Cameron, e lidh me fillimin e epokës moderne (shek. 16-17) “Politika e nacionalizmit ekonomik përfaqëson kalimin e këtyre funksioneve (të kontrollit ekonomik dhe politik-shën. im) nga një nivel lokal në atë nacional, ku qeveria qëndrore përpiqej te bashkonte shtetin si nga ana ekonomike dhe ajo politike...Në këtë mënyrë, nacionalizmi ekonomik, i acaroi antagonizmat e shkaktuara nga dallimet fetare dhe rivaliteti i dinastive që ndiqnin qeveritë europiane” (f. 207 Rondo Camerun-Lari Neal “Storia economika del mondo I. Dal preistoria al XVII secolo”, Ii Mulino 2005) . Përkatsia etnike (kombësia) e shqiptarëve, duke mos qënë “prodhim” i Shtetit, pra rrjedhimisht as i “nacinalizmit ekonomik”, ka lindur brënda gjirit të fisit apo farës dhe ka qënë shprehje e bashkimit, sigurise dhe mbijetesës së individit, dhe nuk cënonte interesat e tij, siç ndodh edhe në ditët tona. Nga disa “analistë”, që janë bërë të pazëvëndësueshëm në studiot e ndryshme televizive, me gjithë dallimet e sipërpërmëndura, qëllimisht barazohet “kombësia” me “identitetin nacional” (krijim i “nacionalizmit ekonomik”), i cili historikisht ka cënuar interesat e grupeve të ndryshme etnike. (Shprehja “identitet nacional” i përket vitit 1980, më përpara emërtohej “ndjenja nacionale” dhe është përdorur pas shek. 19 - ëikipedia) “Sot (identiteti nacional-shën im) është drejtuar nga një “bashkësi” kundër një “bashkësie” (grupi) më të madh që akuzohet se dëshiron të gllabërojë ose të shkatërrojë, (nisur-shënim im) nga qëllimi i egër dhe jo fisnik për të zhdukur ndryshimin e një grupi më të vogel, ta detyrojë me të mirë a të keq, të heq dorë nga “bashkësia” e tij, të humbasë fytyrën, të shkrihet... “identiteti” çfaqet si një thirrje lufte”(f. 73 Z.B.) Këtu mbështetet edhe teza e “lirisë së cënuar të individit” : “Luftrat që zhvillohen realisht” dhe “praktikat që përdoren faktikisht” ...jane - dhe nuk mund te jene ndryshe se këto- përzjerje të kërkesave “liberale” të lirisë për vetmbrojtje dhe vetdeklarimit nga njëra anë, dhe nga ana tjetër e thirrjes “komunitariste” për një “bashkësi më të madhe nga shuma e pjesëve të saj” ... “ Duhet të heqësh dorë nga interesat e tua, në emër të besnikerisë për të cilën grupi yt ka nevojë që të ndihet një grup akoma më i madh, i cili zhduk gjithçka që për ty është e shtrenjte dhe të dhunon interesat e tua “ (f76 Z.Bauman) Bëhu ashtu di do Pra, i cënuar në “interesat “ e tij, individët kanë të drejtë ta kundërshtojnë ose të “zgjedhin” një identitet të ri . Këtë “liri” të pakufizuar të individit, ku përfshihet edhe vetdeklarimi, psikologu Adriano Segatori na e sqaron se: Me 68 (vitin 1968-shen im), dhe periudhën e ndritur që na ka çuar drejt terorrizmit dhe drejt shpërbërjes së çdo lidhjeje me realitetin, u përforcua një mendësi dhe një praktikë, që megjithëse e ardhur nga largësia e kohës, gjen burimin e frymëzimit edhe sot në një demagogji mëndjemadhe : Bëhu ay që do !” (“Il prezzo devastante dell’individualismo” Adriano Segatori ëëë.ariannaeditrice.it/articolo.php?id_articolo=38891 ) Pra njeriut i jepet një pushtet, që nuk merr parasysh ligjet shoqërore , të natyrës apo të shtetit. Ky ka qënë thelbi i filozofisë së individualizmit , anarshizmit, egoizmit dhe kategorive të tjera që janë vërejtur në historikun e zhvillimit të shoqërisë njerëzore. “E ashtuquajtura “Bëhu ashtu siç do !” merr ngjyrime që mund t’i emërtojmë jakobine, fondamentaliste” (po aty). Kjo “e drejtë e njeriut” për t’u bere ç’fare dëshiron (siç është edhe vetdeklarimi i kombësisë sot në Shqipëri), nuk është dukuri e kohës së BE-së, por është ndeshur shumë më herët. “Anarshizmi individualist, i referohet njerës prej atyre traditave të mendimit të levizjes anarshiste, që mbivlerson individin dhe qënjen e tij, mbi çdo lloj faktori të jashtëm, si grupi, shoqëria,traditat dhe sistemet ideologjike…BeniaminTucker, një anarshist dhe individualist i njohur në shk19, ka pohuar se “individi ka të drejtën që të qeverisë vetveten, çdo Qeveri e jashtme është tirani” (ëikipedia-Individualizmi). Si përfundim, aprovimi nga Kuvendi i zbatimit të vetdeklarimit të kombësisë, lë hapur shtegun për vazhdimsinë e praktikave të shk 19-20, të asimilimit të përshpejtuar të popullsisë shqiptare dhe cënimit të sovranitetit. Kundërshtimi i vetdeklarimit të kombësisë Kundërshtimi i vetdeklarimit të kombësisë, është një përpjekje e domosdoshme për të mbrojtur Shtetin ligjor dhe Kombin shqiptar. Është rruga e shprehur qartësisht nga Rilindasit tanë : “Nuk duam që populli shqiptar të humbasë tipin e tij karakteristik, zakonet,legjendat dhe gjuhën e vet. Këto janë të vetmet pasuri që na kanë lënë të parët tanë. Ne duam t’i mbajme ato ,të shenjta. Në qoftëse kjo dëshirë është e padrejtë, atëhere na e vërtetoni” (f. 93 Pashko Vasa “Evërteta mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët”) Z.B. – Zygmund Bauman “Intervista sull’Identità” Gius,Laterza & Figli ,2006 NOA