Tiranë, 12 shtator 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Me rastin e dhjetë vjetorit të tragjedisë së 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një ekspozitë u çel në Muzeun Kombëtar në nderim të 3 mijë të rënëve nga sulmet terroriste. Në fjalën e mbajtur me këtë rast ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë Alexander Arvizu u shpreh se, 10 vite më parë rreth 3 mijë persona humbën jetët e tyre pas sulmit të bërë ndaj SHBA. “Në mes të asaj tragjedie, njerëzit në mbarë botën u solidarizuan me ne duke vendosur qirinj dhe lule së bashku me ne. 10 vite më vonë, miqtë tanë dhe gjetkë, qëndruan sërish në krahun tonë me solidaritet të plotë dhe për këtë ne u jemi mirënjohës për solidaritetin. Shumë prej udhëheqëse shqiptarë folën dje për 11 shtatorin, shumë prej tyre janë këtu dhe sot dhe unë dua të shpreh falënderim dhe mirënjohje”, u shpreh Arvizu. Më tej ai vlerësoi mesazhet e përcjella duke cilësuar si më të mirat,ato më të thjeshta ato që u shprehën me zemër e me shpirt duke thënë se bashkoheshin me dhimbjen amerikane. Lidhur me ekspozitën ambasadori amerikan u shpreh se, “Ngjarja e 11 shtatorit ishte ngjarja më e dhimbshme në histori dhe kushdo që kishte një aparat fotografoi. Fotografitë nuk janë të sistemuar sipas tematikës, kronologjike apo fotografëve, por janë thjesht fotografi dëshmi të çastit, ndërsa arkiva kryesore e ekspozitës ruhet në SHBA”. a.y/NOA
Në foto: Ambasadori amerikan, Alexander Arvizu