English

Disa aktivistë të AK presin me fërshëllima kryediplomatin grek

Tiranë, 12 shtator 2011, NOA/Irma Toptani – Ardhja e ministrit të Jashtëm grek Stavros Lambrinidis në Tiranë si mëkëmbës i BE-së për të përforcuar apelet për procesin e integrimit është pritur me fërshëllima nga disa aktivistë të Aleancës Kuq e Zi të tubuar në mjediset e jashtme të dikasterit të Punëve të Jashtme, ku Lambrinidis dhe ministri i Jashtëm italian Franco Frattini u pritën nga homologu shqiptar Edmond Haxhinasto. Aleanca Kuq e Zi kundërshtoi mbërritjen e kryediplomatit grek, duke deklaruar se integrimi i Shqipërisë nuk mundet asesi të kalojë përmes gjunjëzimit ndaj Athinës. Vizitën e ministrit Lambrinidis në Tiranë Aleanca Kuq e Zi e lidh me nisjen në 1 Tetor të regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare që qeveria e ka emërtuar si Censusi i popullsisë dhe banesave. Në këtë suazë kundërshtimesh të këtij ligji që bie ndesh sipas aleancës me interesat e shtetit shqiptar, aktivistët Kuq e Zi i bënë thirrje politikës shqiptare të mos gjunjëzohet para presioneve të vëna nga Greqia për integrimin e vendit, dhe të mos bëjë pazare në kurriz të interesave kombëtarë. Këto presione sipas tyre lidhen me interesat greke kah regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe feje apo edhe marrëveshjes së shumëpërfolur detare me shtetin helen. “Kuq e Zinjtë” e cilësuan turp të politikës shqiptare heshtjen ndaj këtyre presioneve që bën Greqia fqinje, me pretekstin e një vote pro për integrimin në BE të vendit. Dy ministrat e Jashtëm të Italisë dhe Greqisë gjatë takimit me kryediplomatin Haxhinasto i bënë thirrje politikës të vijojë reformat e rëndësishme integruese të vendit që ngërthehen në 12 prioritetet e vëna nga BE vitin e shkuar si kushte për marrjen e statusit të vendit kandidat. Ky apel vjen në një moment deçiziv kur Shqipëria pas pak javësh pritet të marrë edhe opinionin e radhës të Komisionit Europian për përmbushjen e detyrimeve për këtë status. Në këto momente dy krerët e diplomacisë italiane dhe greke janë në një takim me kryeministrin Sali Berisha dhe pak më vonë do të takohen me shefin e opozitës Edi Rama, mandej me Presidentin Bamir Topi dhe në fund do të flasin mbi këto takime për integrimin në një konferencë për shtyp. mit/NOA

Në foto: Ministri i Jashtëm i Greqisë, Stavros Lambrinidis

KOMENTE