Tiranë, 12 shtator 2011, NOA – Ndërsa Shqipëria është vetëm pak javë larg opinionit të ri të KE-së për kërkesën për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, në Tiranë mbërrijnë sot dy kryediplomatët e shteteve fqinje, ai italian Franco Frattini dhe ai grek Stavros Lambrinidis. Në qendër të kësaj vizite të shkurtër axhenda e bisedimeve është e qartë. Reformat e Shqipërisë përdrejt integrimit në BE përkatësisht që lidhen me 12 rekomandimet e BE-së dhënë një vit më parë dhe zgjidhja pa humbur më kohë e ngërçit politik në vend do të jenë kryefjala e dy kryediplomatëve në Tiranë, të cilët do të inkurajojnë krerët e politikës shqiptare të bashkëpunojnë për të përmbushur kushtet për procesin e integrimit të Shqipërisë në Unionin Europian. Axhenda e dy ministrave të Jashtëm të BE-së është deklaruar zyrtarisht për mediat më herët nga Zyra e Delegacionit të BE-së në Tiranë. Ministrat e Jashtëm Frattini dhe Lambrinidis do të takohen me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha, Ministrin e Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto dhe Kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama. Axhenda e takimeve: 10.15 Takim me Ministrin e Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto 10.45 Takim me kryeministrin Sali Berisha 11.30 Takim me Kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama tek ABA Business Centre 12.15 Takim me Presidentin e Republikës Bamir Topi 12.50 Konferencë për shtyp tek Qendra e Informimit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Rr. Ismail Qemali, Nr 32 (tek ish Blloku). Për takimin me kryetarin e Partisë Socialiste që do të mbahet tek ABA Business Centre, mediat janë të ftuara të dërgojnë vetëm kameramanë dhe fotografë. Zyra e Delegacionit të BE-së bëri me dije gjatë publikimit të axhendës se lidhur me konferencën e shtypit të dy krerëve të diplomacisë italiane e greke Franco Frattini dhe Stavros Lambrinidis, do të pranohen vetëm pyetjet që kanë të bëjnë me subjektin e vizitës së dy politikanëve të lartë të BE-së, pra rreth integrimit europian të Shqipërisë. mit/NOA
Në foto: Ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini dhe ministri i Jashtëm grek Stavros Lambrinidis