Prishtinë, 12 shtator 2011, NOA- Pas largimit nga shërbimi i tij në Kosovë i gjeneralit të KFOR Erhard Buhler, Presidentja e vendit priti në një takim të komandantin e ri të KFOR-it, Erhard Drews. Që në fillim të takimit ajo e uroi gjeneral majorin Drews për detyrën e re dhe theksoi rolin shumë të rëndësishëm të forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon. Në vijim, ajo tha se KFOR-i është institucioni ndërkombëtar më i besueshëm që gëzon respektin më të madh në mesin e qytetarëve të Kosovës dhe së bashku me Policinë e Kosovës, luajnë një rol të madh në ruajtjen e stabilitetit në vend. Sakaq Jahjaga, theksoi rolin e madh që NATO luan në trajnimin dhe aftësimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe përgatitjen në përmbushjen e kapaciteteve të plota operacionale. Ajo e cilësoi të një rëndësie të veçantë pjesëmarrjen e FSK-së në misionet paqeruajtëse rajonale dhe ndërkombëtare të NATO-s dhe anëtarësimi i saj në strukturat euroatlantike. Nga ana e tij, komandanti i ri, theksoi se KFOR-i do të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij në krijimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt në Kosovë. a.y/NOA
Ne foto: Presidentja Jahjaga dhe Erhard Drews