English

Nis Viti i ri Shkollor, 56 mijë nxënës për herë të parë në bangat e shkollës

E hënë, 12 shtator 2011, NOA – Sot nis Viti i ri Shkollor për rreth 650 mijë nxënës të shkollave nëntëvjeçare dhe të mesme në mbarë vendin. 12 shtatori do të jetë takimi i parë me shkollën edhe për afro 56 mijë nxënës, të cilët do të ulen për të parën herë në bangat e klasës së parë. Drejtoritë e rreth 376 shkollave të mesme dhe 1749 shkollave 9-vjeçare, në të gjithë vendin, janë gati për të nisur vitin e ri shkollor. Ky vit shkollor përmblidhet në 35 javë mësimi dhe do të përfundojë në datën 6 qershor të 2012-ës. Sipas MASH-it është vendosur të ketë dy periudha pushimi, rreth dy javë në pushimet e Vitit të Ri, dhe një në fund të marsit, pas mbylljes së semestrit të parë. Ndërsa provimet e Lirimit për klasat e nënta do të jenë në periudhën 7 dhe 22 qershor. Sa i përket arsimit të mesëm viti i ri shkollor mbaron më 13 qershor. Maturantët do të kenë dy javë më pak mësim pasi ata për 5 javë do të përballen me provimet e maturës, që do të përfundojnë në fund të qershorit. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj u uroi një mesazh të veçantë fëmijëve, të cilët ulen sot në bangat e klasës së parë, duke nisur kështu rrugën e gjatë të dijes. Sipas tij këtë vit nxënësit do të gjejnë një shkollë më miqësore, të afërt dhe me mësimdhënie më cilësore. Duke iu referuar faktit se sistemi arsimor në vend po zhvillohet me shpejtësi, ministri Tafaj theksoi se rritja cilësore e arsimit është sfida për arsimin shqiptar. Ministra tha se synohet që mbi 80 përqind e fëmijëve 5-vjeçarë të vijojnë një vit parapërgatitor para se të ulen në bangat e shkollës. Ky vit i ri shkollor përkon me veprimtaritë kombëtare kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ku çdo shkollë do të zhvillojë një program të gjerë me veprimtari shkollore dhe jashtëshkollore. mit/NOA

KOMENTE