English

Paralajmërimi i fundit i BE-së: Humbët një vit kohë, nxitoni më reformat

Tiranë, 12 shtator 2011, NOA/ Albana Qehajaj - Ministri i Jashtëm grek Stavros Lambrinidis, dhe homologu i tij italian Franko Fratini mbërritën në Shqipëri sot rreth orës 10:30 ku nisën një takim me ministrin tonë të Jashtëm Edmond Haxhinasto. Pas takimeve me Berishën, Ramën, e Topin dy ministrat iu drejtuan selisë së BE-së në Tiranë, për t’i komunikuar medias dhe nëpërmjet medias, opinionit publik shqiptar mesazhet e tyre.

Mesazhet

“Politika shqiptare duhet të bashkëpunojë për të përfituar nga koha që ka humbur”, tha ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini, ndërsa shtoi se në këto takime është folur për angazhimin politik, por sipas tij, nëse kjo nuk pasqyrohet në veprimet e duhura dhe jo vetëm me fjalë, atëherë nuk do të ketë asgjë pozitive në raportin e ardhshëm të Komisionit Evropian. “Mbeten ende shumë gjëra, si p.sh 52 rekomandimet që janë dhënë nga OSBE-ODIHR dhe Këshilli i Evropës. A është e mundur që këto rekomandime të zbatohen? Unë them se po. A do ishte e mundur që të rifillojnë takimet e komisionit parlamentar për çështjen e integrimit? Unë mendoj se po. A është e mundur që të dyja palët të bien dakord për Avokatin e Popullit? Unë mendoj se po. Këto ishin vetëm disa shembuj, unë them se Shqipëria ka nevojë për një pakt kombëtar për Evropën, ashtu siç e arriti Shqipëria për integrimin në NATO”, u shpreh Frattini. Ndër të tjera ministri i jashtëm italian theksoi se ky pakt politik nuk do të drejtohet nga ndërkombëtarët, por nga shqiptarët. Sipas Frattinit, nëse ndodhë kjo Shqipëria ka një shans të rëndësishëm,që të bëhet së shpejti anëtare e Bashkimit Evropian. Pyetjes se çfarë garanice ka marrë nga lideri i opozitës në takimin e zhvilluar sot, Frattini nënvizoi se Rama tha se do bashkëpunojnë për funksionimin e parlamentit. Ndër të tjera, ministri i Jashtëm italian theksoi se opozita dhe qeveria të bëjnë që parlamenti të funksionojë normalisht. “Ne nuk mund t`ju japim garanci se çdo të ketë në raportin e KE-së, që do të dalë në shtator apo tetor. Çdo gjë do të varet nga ato arritje konkrete. Kam përmendur deri më tashti tre gjëra; përsa i përket Avokatit të Popullit, rifillimi i funksionimit të parlamentit dhe takimet e reja të Komisionit Parlament për çështje të integrimit evropian”, shtoi Frattini.

“Integrimi është një objektiv për shumicën dërrmuese të popullit. Ne jemi këtu dhe përfaqësojmë BE. Ne jemi mbështetës të përzemërt të Shqipërisë dhe të ardhmes europiane. Mesazhi që dua të përcjell është nevoja e bashkimit kombëtar në rrugën drejt Europës. Tashmë që parlamenti ka rifilluar punën e vetë ne mendojmë që duhet të nisin puna për 12 prioritetet e BE”, tha ministri i jashtëm grek. Sipas tij një prej reformave që duhet të përmbushë Shqipëria është edhe ajo që i përket minoriteteve. “Disa nga këto reforma kanë të bëjnë me zgjedhjet, të drejtat e njeriut apo me minoritetet, kanë të bëjnë me cështje të sigurinë. Jemi të kënaqur që këto janë edhe në fokusin e politikës shqiptare. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që të plotësojë kërkesat e BE”, shtoi ai. Diplomati grek theksoi se rruga drejt BE është e vështirë dhe se garanci për të të jep vetëm përmbushja e kritereve të Kopenhagenit. "Rruga drejt BE është e vështirë, për këtë ka nevojë për përgatitje rigoroze, bashkëpunim mes forcave politike, por ne ju garantojmë që në këto reforma do jemi në krahun tuja dhe do t’ju mbështesim të arrini ëndrrën tuaj. Garanci nuk ka për asnjë vend, garanci janë kriteret, janë të njëjta për cdo vend, mbeten të njëjta për të gjithë, janë ato të Kopenhagenit”, përfundoi Lambrinidis.

Reagimi

Vizita e dy ministrave nuk është pritur mirë nga aktivistët e Aleancës Kuq e Zi. Dhjetra aktivistë u grumbulluan përpara dyerve të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, për të reaguar kundër bisedimeve me dyer të mbyllura të ministrave të jashtëm Haxhinasto dhe Lambrinidis. Ata mbanin në duar një banderolë gjigande në të cilën shkruhej: “Jo pazarit grek me çështjet kombëtare”. Këta të fundit kanë protestuar kundër ministrit të jashtëm grek Lambrinidis, i cili pak ditë më parë i bëri thirrje Tiranës zyrtare të pranojë marrëveshjen e ujrave me shtetin helen. Pikërisht këto deklarata aktivistët e AK, i interpretojnë si presione të palës greke, për tu bërë avokatët e shqiptarëve në BE, por që nga ana tjetër kërkojnë favore territoriale. “Qeveria shqiptare nuk duhet të shesë kufirin, regjistrimin e popullsisë dhe çështjen Çame në këmbim të avokatisë greke në BE”, deklaroi përfaqësuesi i Aleancës Kuq e Zi Sokol Koçiaj. a.q/NOA

KOMENTE