Reforma zgjedhore s’mund të nisë me ngritjen formale të një komisioni parlamentar pa pasur paraprakisht një hartë konsensuale veprimi dhe një kalendar të miratuar bashkarisht për të gjithë hapat deri në miratimin e ndryshimeve të nevojshme me transparencë të plotë ndaj të gjitha partive parlamentare e joparlamentare e ndaj vetë publikut shqiptar Nga Edi Rama Së bashku me tre përfaqësues të grupit parlamentar për politikën e jashtme dhe integrimin, u ndamë nga ministrat e jashtëm të Italisë e të Greqisë me të cilët zhvilluam një takim shumë miqësor për çështjen shqetësuese të procesit të integrimit europian të vendit. I falënderuam miqtë e dy vendeve fqinje për mbështetjen e rëndësishme që i kanë dhënë vijimësisht Shqipërisë në rrugën e integrimit europian dhe i njohëm me shqetësimet e qëndrimit tonë të palëkundur në funksion të përparimit demokratik të vendit. Theksuam domosdoshmërinë e mospërsëritjes së farsave elektorale të vitit 2009 e të majit 2011 në Tiranë dhe angazhimin tonë për një reformë zgjedhore që të adresojë të gjitha rekomandimet e bëra në raportin e qartë të OSBE/ODIHR-it. Në këtë drejtim i kërkoj grupit parlamentar të mandatojë deputetin Damian Gjiknuri dhe deputeten Vasilika Hysi për të diskutuar me palën tjetër lidhur me metodologjinë e punës për këtë reformë themelore. Reforma zgjedhore s’mund të nisë me ngritjen formale të një komisioni parlamentar pa pasur paraprakisht një hartë konsensuale veprimi dhe një kalendar të miratuar bashkarisht për të gjithë hapat deri në miratimin e ndryshimeve të nevojshme me transparencë të plotë ndaj të gjitha partive parlamentare e joparlamentare e ndaj vetë publikut shqiptar Të dy deputetët duhet të organizojnë thithjen e mendimeve nga grupi, nga baza e Partisë Socialiste, nga forcat aleate të Opozitës së Bashkuar dhe nga shoqëria civile. Karakteri bipartizan i komisionit parlamentar të reformës zgjedhore s’duhet të cenojë lirinë e të drejtën e pjesëmarrjes në proces të asnjë aktori e faktori politik e qytetar të interesuar për zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri. Në takimin me dy ministrat e jashtëm të Italisë e Greqisë, theksuam gjithashtu domosdoshmërinë e një reforme urgjente parlamentare që të rikthejë konsensusin për rregullat e funksionimit të jetës parlamentare dhe t’i japë opozitës në parlament as më shumë e as më pak sesa liritë e të drejtat që i janë mohuar njëanshmërisht nga shumica e sotme në Kuvendin e Shqipërisë. Në mbledhjen e kësaj jave të kryetarëve të grupeve parlamentare grupi ynë në Kuvend do të depozitojë draftin e përgatitur të ndryshimeve që, sipas nesh, janë një kusht i patjetërsueshëm për ta futur parlamentin në binarët e normalitetit europian të funksionimit të jetës parlamentare. Edhe për këtë draft të gjithë deputetët duhet të japin mendimet e tyre përpara publikimit të tij në ditët në vijim. Shpjeguam se s’është fjala thjesht për rregulloren e Kuvendit po për atë që edhe baronesha Ashton dhe Komisioneri Fule e kanë shtruar si domosdoshmëri për një reformë institucionale të jetës parlamentare dhe të rregullave të procedurës së punës së Kuvendit. 12 prioritetet e BE për Shqipërinë janë padyshim 12 pika të palëvizshme referimi për të luajtur rolin tonë në parlament si një alternativë reale për integrimin europian të Shqipërisë dhe nxjerrjen procesit demokratik e politik në Shqipëri nga llumi ku e ka zhytur e mbytur qeveria e Saliut. Për sa i takon ligjeve që kërkojnë votën tonë për të garantuar shumicën e cilësuar prej 3/5 të Kuvendit, u shprehëm miqve e partnerëve fqinj në takimin e sotëm të njëjtin qëndrim të bërë publik. Nuk do të votojmë projektligje të paharmonizuara me një vizion solid të ndërtimit e të funksionimit të shtetit shqiptar dhe nuk do ta ngremë kartonin jeshil sa për t’i hedhur hi syve Brukselit me arna të quajtura rëndom reforma integruese. Nëse kërkohet vota jonë për miratimin e një projekti që kërkon 3/5 e votave atë do ta japim vetëm mbi një platformë të qartë, kombëtare dhe transparente, të reformimit të domosdoshëm të sistemit në fushën e drejtësisë, sigurisë e me radhë me fokus e standardet e integrimit europian. Sqaruam gjithashtu qëndrimin tonë lidhur me emërimin nga parlamenti të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, të Guvernatorit, të Kryetarit të KLSH-së, të gjykatësve të niveleve të larta, si edhe nevojën e një reforme kushtetuese. Përgjegjësia për të garantuar konsensusin e për të dhënë provat bindëse të vlefshmërisë së projekteve që votohen në kuvend i takon qeverisë, ashtu siç i mbetet qeverisë të mbajë barrën e dështimit kur s’është në gjendje të japë asnjë provë të argumentuar për psenë e projekteve të propozuara prej saj dhe asnjë garanci në zbatimin e ligjeve të miratuara nga parlamenti. Ndërkohë ne jemi përgatitur për interpelancën e nesërme parlamentare lidhur me shpërdorimet e patolerueshme qeveritare në administrimin e pasurive minerare të vendit, ku mbetet e pashpjegueshme pse akoma prokuroria nuk vepron për vënien përpara drejtësisë të ministrit që firmosi ndryshime në një marrëveshje koncesionare duke marrë kompetencat e Kuvendit në shkelje të Kushtetutës e të ligjit. Bulqiza, e kthyer në gangrenë e korrupsionit dhe abuzimit qeveritar me pasuritë minerare të vendit e me njerëzit e nëntokës, kërkon drejtësi dhe ne jemi në krah të minatorëve deri në realizmin e kërkesave të tyre të drejta, ligjore e njerëzore. Po ashtu, së shpejti ne do t’i shtrojmë parlamentit alternativën tonë për lehtësimin e familjeve të zakonshme shqiptare nga barra e padurueshme e çmimeve të bukës, ushqimeve bazë dhe ilaçeve. Heqja e TVSH-së mbi bukën, qumështin, vezët dhe ilaçet, si edhe ulja e TVSH-së mbi ushqimin, janë e vetmja rrugë për t’u ardhur sadopak në ndihmë sot, në kushtet e krizës së rëndë ekonomike e të rënies katastrofike të fuqisë blerëse, të gjitha familjeve të zakonshme të këtij vendi. E kemi premtuar solemnisht këtë hap në Paktin Qytetar të majit dhe do të luftojmë në parlament që ky hap të hidhet sa më parë, pa pritur që të vijmë në qeveri për ta bërë realitet të jetës së përditshme shqiptare uljen e çmimeve të bazës më elementare ushqimore e jetike për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi. Komisionet tona në parlament po përgatisin edhe një sërë propozimesh që mbrojnë interesat e qytetarëve, të sipërmarrjes, grupeve të ndryshme të interesit e të medias, si edhe një sërë interpelancash që do të hedhin dritë mbi pasojat e rënda të keqqeverisjes. * Fjala e Kryetarit të PS në mbledhjen e grupit parlamentar