Prishtinë, 12 shtator 2011, NOA- Mediat kosovare publikuan sot lajmin se Ministri i punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi duke folur për aksionet në veri të vendit, deklaroi se planifikimi i ndërhyrjes zgjati dy orë dhe për këtë ministri kosovar pati një ankesë tek partnerët ndërkombëtar, raporton Indeksionline. Këtë deklaratë Rexhepi e bëri para Komisionit Parlamentar për Siguri e Punë të Brendshme. Arsyetimin e planifikimit të shpejtë, Rexhepi e lidhi me dyshimin se dikush po e përgjon. “Bisedat e mia me kryeministrin Thaçi përgjohen nga ndërkombëtarët, e më pas edhe dekonspirohen. Në të kaluarën ka pasur bashkëpunëtorë nga UNMIK-u që kanë bashkëpunuar me strukturat ilegale. Për këtë arsye është planifikuar shpejt aksioni në veri”,- ka deklaruar ministri i Brendshëm kosovar. a.q/NOA