Tiranë, 12 shtator 2011, NOA- Me rastin e ekspozitës së çelur për viktimat e rëna në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin dhjetë vjetorit të sulmeve terroriste mbi Kullat Binjake, foli edhe Presidenti i vendit Bamir Topi. Lidhur me këtë ngjarje ai u shpreh se, “Dora barbare dhe gjakatare e Al Kaedas shkaktoi humbje të mëdha duke sjellë dhimbje të mëdha dhe sikurse e kanë thënë të gjithë krerët e botës, ky sulm ndryshoi rrjedhën e historisë”. Më tej ai kujtoi fjalën e Presidentit të SHBA-ve Barack Obama, duke theksuar se gjithçka ndryshoi, por vetëm diçka mbeti pa ndryshuar dhe ky ishte shpirti i Amerikës. Sipas Kreut të Shtetit, falë këtij shpirti dhe falë bashkimit që ka kombi i madh amerikan ajo u ringrit më i fortë dhe më solidarizues në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar. “Ju duhet të jeni krenar zoti Ambasador për shpirtin e madh amerikan dhe për atë që përfaqësoni. Ne shprehim krenari në emër të çdo shqiptari që është krah jush dhe të jeni i sigurtë z. Ambasador se do shqiptarët do jenë bashkë në vendosjen e paqes kudo në botë”. Në përfundim të fjalës së tij Presidenti Topi veçoi faktin se edhe Shteti Shqiptar mori një goditje të madhe në mes të Vlorës, madje shtoi se duhet të punohet bashkërisht që të bëhet bota më e qetë. a.y/NOA