Tiranë, 13 shtator 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Kryeministria zbardhi pak çaste më parë takimin e mbajtur mes kreut të Qeverisë dhe kreut të misionit të vëzhguesve të OSBE-ODHIR për zgjedhjet e 8 majit, Jonathan Stonestreet. Burime zyrtare nga Kryeministria bën me dije se që në fillim të takimit Stonestreet çmoi asistencën dhe bashkëpunimin që qeveria shqiptare i ofroi misionit vëzhgues përgjatë periudhës së vëzhgimit. Gjatë këtij takimi Kryeministri ftoi ODIHR dhe Komisionin e Venecias të japin ekspertizën e tyre në procesin e Reformës Zgjedhore dhe rikonfirmoi qëndrimin se mazhoranca mirëpret propozimet e opozitës të bazuara në rekomandimet e ODIHR dhe të certifikuara nga këto dy institucione prestigjioze. Stonestreet e mirëpriti ftesën dhe siguroi për gatishmërinë e ODIHR që në bashkëpunim me Komisionin e Venecias të asistojnë procesin e ardhshëm të reformës zgjedhore. Më tej Kryeministri Berisha vlerësoi deklaratën e bërë nga kryeministri Berisha pas publikimit të raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha falenderoi misionin që ai drejtoi për punën e kryer si dhe e çmoi raportin e ODIHR si realist e që vë në pah progresin e zgjedhjeve te 2011 karshi zgjedhjeve të shkuara në përmbushjen e standardeve si dhe nevojat për përmirësim të procesit zgjedhor. Sipas tij, cilësimi i zgjedhjeve si transparente dhe kompetitive është një vlerësim që përmbledh të gjitha standardet që ka arritur procesi zgjedhor i 2011. Më tej Kryeministri Berisha u shpreh se rekomandimet e ODIHR në raportin e vitit 2011 së bashku me rekomandimet e vitit 2009 përbëjnë një bazë shumë të mirë procesin e Reformës Zgjedhore. Në vijim ai siguroi delegacionin e ODIHR se mazhoranca ka vullnetin e plotë për ti trajtuar të gjitha rekomandimet në mënyrë konsensuale me opozitën dhe se ajo është e gatshme që puna për to të fillojë menjëherë me ngritjen e komisionit parlamentar. Në përfundim të dy biseduesit ndanë të njëjtin mendim se reforma e ardhshme duhet të përfshijë edhe institucionet përgjegjëse si KQZ dhe organizatat e shoqërisë civile të specializuara në çështjet zgjedhore. Sakaq Kryeministri Berisha theksoi se tryeza e Reformës Zgjedhore e iniciuar nga mazhoranca në vjeshtën e vitit 2010 kishte pikërisht këtë frymë gjithëpërfshirëse dhe është një precedent i mirë në këtë drejtim. a.y/NOA
Në foto: Berisha- Stonestreet gjatë takimit