Tiranë, 13 shtator 2011, NOA Update – Ligji për Gjykatën Administrative është hequr nga rendi i ditës së sotme të seancës së kuvendit. Shtyrja e diskutimit dhe miratimit të ligjit të rëndësishëm që kërkon tre të pestat e votave është vendosur me konsensus në mbledhjen e kryetarëve të grupeve parlamentare përpara nisjes së seancës. Ndërkohë seanca e sotme e Kuvendit nisi me një minutë heshtje për gjyqtarin Skerdilajd Konomi, i vrarë në atentatin mafioz të telekomanduar në qendër të Vlorës, të premten e shkuar, kur makina e tij shpërtheu nga eksplozivi duke i marrë jetën 33-vjeçarit, baba i dy fëmijëve të mitur. Ndërkohë, sikurse dihet pas rikthimit në kuvend të opozitës në krye të sesionit parlamentar të vjeshtës, në axhendën e tij do të jenë një sërë reformash të rëndësishme që kërkojnë shumicë të cilësuar me tre të pestat dhe të mbetura pezull për shkak të bojkotit të mëhershëm dy-vjeçar të opozitës. Ndërkohë, kryetari i opozitës Edi Rama deklaroi dje se Partia Socialiste nuk do të ngrejë kartonin jeshil në kuvend për ligjet me tre të pestat sa për t’u hedhur hi syve të BE-së. Nisur nga kjo shprehje është e kuptueshme se që ligji për Gjykatat Administrative, por edhe reforma të tëra integruese të marrin të paktën 84 vota në kuvend do të duhet konsensusi i opozitës. mit/NOA