English

Gjykata Administrative sot në Kuvend, PS bën gati “kartonin e kuq”

Tiranë, 13 shtator 2011, NOA/Irma Toptani - Pas rikthimit në kuvend të opozitës në krye të sesionit parlamentar të vjeshtës, seanca e sotme plenare e paradites do të vërë në provë bashkëpunimin e saj me mazhorancën për miratimin e ligjeve të rëndësishëm që kërkojnë shumicë të cilësuar me tre të pestat. Pas miratimit me konsensus të kalendarit tri-javor të punimeve të Kuvendit në konferencën e kryetarëve, ligji i parë në axhendë është ai për Gjykatat Administrative i mbetur peng zyrave të kuvendit për shkak të bojkotit dy-vjeçar të opozitës. Por, pas takimit të djeshëm me dyer të mbyllura me dy kryediplomatët e Italisë dhe Greqisë, kryetari i opozitës Edi Rama deklaroi se PS nuk do të ngrejë kartonin jeshil për ligjet me tre të pestat sa për t’u hedhur hi syve të BE-së. Nisur nga kjo shprehje është e kuptueshme se ligji për Gjykatat Administrative e ka të vështirë kalimin në kuvend duke iu referuar faktit se ai kërkon të paktën 84 vota. Për marrjen e këtyre votave do të duhet konsensusi i opozitës. Edhe pse në krye të nisjes së sesionit të ri parlamentar, kryesocialisti Rama deklaroi se opozita do të rikthehet me kohë të plotë në kuvend, dhe se do të votojë reformat integruese kjo nuk do të thotë se socialistët nuk do t’i kalojnë edhe njëherë në sitë të gjitha ligjet e rëndësishëm që përkojnë edhe me reformat prioritare për procesin e integrimit të vendit në BE. Po kështu Gazeta Shqiptarenjë prej titujve të saj të sotëm i referohej një statusi online të nënkryetarit të grupit kuvendor socialist Erion Braçe, i cili e cilësoi futjen në rend të ditës të ligjit pr Gjykatën Administrative si një provokim të shëmtuar të kryeparlamentares Jozefina Topalli. Sipas Braçes, ligji për “Për gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative”, nuk mori konsensusin e opozitës në konferencën e kryetarëve lidhur me kalendarin trijavor të punimeve. Provokimi për të cilin flet deputeti Braçe lidhet me atë që deklaroi kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli në konferencën e djeshme me deputetin e bundestagut gjerman. Zonja Topalli tha se “në konferencën e kryetarëve me unanimitet ne kemi përcjellë në seancë kalendarin tre javor, i cili përfshin disa nga ligjet që kërkojnë një numër të cilësuar votash, pra, kërkojnë edhe votën e opozitës. Mes këtyre ligjeve është edhe ligji për Gjykatat Administrative, por ka edhe shumë kode të tjera të cilat kërkojnë votën e të gjithë grupeve parlamentare, të të gjithë forcave politike, siç keni qenë dëshmitarë, ky kalendar është votuar me unanimitet, është kaluar në seancën plenare pa asnjë kundërshti dhe unë shpresoj se të gjitha forcat politike, të gjitha grupet parlamentare do të jenë luajalë në qëndrimet e tyre”. Lidhur me këto ligje dhe reforma të rëndësishme kreu i opozitës deklaroi po dje se PS ka gati e do të paraqesë draftin me ndryshime për një reformë të thellë të sistemit të drejtësisë. Ndërkohë mazhoranca edhe më herët ka ritheksuar se do të bashkëpunojë me opozitën për reformat e integrimit dhe se do t pranoj amendamentet e saj. Në axhendën e këtij sesioni do të jenë edhe miratimi i një sërë kodesh si ai i Procedurës Penale, Kodi Rrugor, etj. Gjithashtu pritet të nisë edhe puna për reformën zgjedhore. Partia Socialiste ka përcaktuar dy deputetë që do të ndjekin bisedimet me mazhorancën për këtë reformë kyç për zgjedhje të drejta, të lira e të pakontestuara në vend. mit/NOA

KOMENTE