Tiranë, 13 shtator, NOA - Komisioni parlamentar i Shëndetësisë ka miratuar amendimet e propozuara nga Urdhri i Infermierit, për ligjin e vjetër që rregullon funksionimin e këtij organizmi, i miratuar në vitin 2007.
Kështu, sipas këtyre ndryshimeve të reja, në kategorinë e profesionistëve të shëndetësisë që mbulohen nga UISH, tashmë përfshihen edhe teknikët e laboratorëve të të gjitha llojeve, imazheristët dhe lokiopedistët, përveç infermierëve, mamive dhe fizioterapistëve që kanë qenë deri tani. Në këtë mënyrë, është siguruar përfshirja e gjithë profesionistëve.
Ndërkaq, një amendim tjetër është edhe ai që përfshin 21 anëtarë në Këshillin Kombëtar të UISH-së, (nga 17 ekzistues në ligjin e tanishëm), mes tyre edhe 2 anëtarë nga shoqatat e Pacientëve, duke bërë në këtë mënyrë që të dëgjohet edhe zëri i pacientëve.
“Kjo tregon për demokratizimin e mëtejshëm që po i bëhet funksionimit të institucionit tonë”, shprehet lidhur me këto amendime, presidenti i Urdhrit të Infermierit, Sabri Skënderi.
Duke shtuar se gjithashtu, të përfshirë do të jenë edhe përfaqësuesit e Sindikatës së Infermierëve, duke bërë që në këtë kuadër të jenë të kompletuar të gjitha grupet e interesit.
Regjistrimet për Provimin e Shtetit
Nga ana tjetër, Urdhri i Infermierit bën me dije se në zbatim të ligjit “Për Profesionet e Rregulluara”, do të regjistrojë të gjithë profesionistët e kujdesit shëndetësor (të përfshirë në statusin e tij) që do të japin Provimin e Shtetit. I caktuar të zhvillohet në datën 15 Tetor, ai cilësohet si një fazë e detyrueshme për t’u zbatuar prej tyre.
“I njoftojmë ata që të interesohen për plotësimin e dokumentacionit përkatës që të japin më pas provimin.
Vetëm ata që kalojnë në Provimin e Shtetit, mund të licencohen dhe të punojnë si infermierë në Republikën e Shqipërisë. Ndërsa të gjithë ata që rrëzohen në këtë provim, do të jenë të detyruar të punojnë vetëm si praktikantë me mbikëqyrje. Ndërsa në ato institucione ku punojnë infermierë të diplomuar gjatë viteve 2011-2012, përbën shkelje ligji. Ata duhet të realizojnë Provim Shteti por edhe praktikë”, pohon Skënderi.
Çfarë parashikonte Ligji nr. 9718, datë 19.4.2007
Neni 4
Kriteret e anëtarësisë
1.Urdhri i Infermierit përbëhet nga infermierët dhe mamitë që kanë diplomën përkatëse dhe që e ushtrojnë profesionin në Republikën e Shqipërisë.
Neni 6
Misioni i Urdhrit të Infermierit
1.Urdhri i Infermierit ka si mision ruajtjen e standardeve të miratuara nga Ministri i Shëndetësisë, në ushtrimin e profesionit infermier, mami ose fizioterapeft, nëpërmjet mbikëqyrjes së normave të etikës dhe të Kodit Deontologjik të profesioneve infermier, mami dhe fizioterapeft, si dhe mbrojtjes së pacientëve dhe të publikut nga kequshtrimi i profesionit të infermierit, mamisë apo fizioterapeftit.
Neni 12
Këshilli Kombëtar
1. Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Infermierit përbëhet nga 17 anëtarë si më poshtë:
a) Presidenti i Urdhrit të Infermierit;
b) presidentët e këshillave rajonalë;
c) një përfaqësues i Ministrisë së Shëndetësisë;
ç) një përfaqësues i Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta;
d) një përfaqësues i Shkollave të Larta të Infermierisë;
dh) një përfaqësues i Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor.
n.e/NOA