Nga Mustafa Nano Ka ditë që jemi njoftuar se dje do të mbërrinte në Tiranë ministri i Jashtëm i Italisë, Franco Frattini, dhe ministri i Jashtëm i Greqisë, Stavros Llambrinidis. Dhe mbërritën. Do ish mirë të kishin bujtur më parë, në kulmin e krizës, në mënyrë që të mund të parandalonin përshkallëzimin e përthyerjen dramatike të saj, e jo tani, kur opozita i është futur “rrugës së paqes, arsyes, konstruktivitetit dhe appeasement-it”, por diplomacia ka kohët e veta. Diplomacia nuk di të bëjë gjë tjetër, veçse të vonohet. Synimi i dy ministrave ishte të bindnin palët këtu në Tiranë që të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, të lënë mënjanë qëndrimet egoiste e të mendojnë për të mirën e përgjithshme, dhe ta marrin seriozisht sfidën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, pasi këtë tren po e kapin të gjithë të tjerët. Të dy kryediplomatët e vendeve fqinjë bënë një seri takimesh me dinjitarët e lartë të shtetit e me eksponentët e rëndësishëm të politikës së Tiranës dhe dolën në një konferencë për shtypin, ku nuk thanë ndonjë gjë të madhe, veçse përsëritën qëndrime të vjetra dhe dhanë udhëzime e këshilla të njohura. E vërteta është, se nuk ka ndonjë gjë të madhe për të thënë. Palët e këtushme, nëse besohet që kanë në mendje interesat nacionale, nuk kanë rrugë tjetër, veçse të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën. Dhe Frattini e Llambrinidis e thanë këtë. Në rrethana të tilla, kur diplomatë të rëndësishëm ndërkombëtarë nuk mbajnë qëndrime të prera, por u vijnë rrotull problemeve me një gjuhë të drunjtë, ne jemi të gatshëm t’i ngarkojmë me faje. Jemi ushqyer me pritmëri të mëdha prej komunitetit ndërkombëtar, dhe kjo nuk është një dukuri e 20 viteve të fundit. Përkundrazi, është një dukuri e vjetër, që na ka shoqëruar qysh nga momenti i krijimit të shtetit shqiptar. Për më tepër, kjo dukuri nuk ka të bëjë vetëm me ne shqiptarët; ka të bëjë në përgjithësi me të gjithë ata kombe, rëndom të vegjël, plot halle e të papërgatitur deri në fund për t’u vetëqeverisur. Ne e kemi bërë zakon që, sapo në Shqipëri shfaqet ndonjë krizë, të fillojmë të fusim në scanner çdo frazë të ndërkombëtarëve e të përpiqemi të lexojmë mes rreshtave ndonjë mesazh që nuk arrijmë ta gjejmë tek vetë rreshtat. Sa më e fortë kjo krizë, aq më shumë rritet besimi se Perëndimi do të vendosë më në fund t’i tërheqë veshin palës fajtore, e cila, në përfytyrimin tonë, është zakonisht ajo që secili prej nesh e sheh si fajtore. Dhe më e bukura është se ne të këtushmit, sa më shumë Perëndimi demonstron se nuk e ka praktikë të vetën këtë sjellje (Perëndimi nuk para tërheq veshin; Perëndimi rëndom jep mbështetje), aq më shumë besojmë se Perëndimi do ta bëjë atë ndërhyrjen providenciale, me anën të së cilës do ndahet shapi nga sheqeri, do të marrë secila palë fajet e përgjegjësitë që u takojnë dhe do të hedhin shikimin përpara. Dhe më e bukura fare është që harrojmë se qëndrimet e të huajve ngrihen edhe mbi bazën e interesave të tyre, të cilat janë të kuptueshme e legjitime, ashtu siç janë (do duhej të ishin) tonat në marrëdhëniet me ta. Në këtë kuptim, gjithçka mund të na falet, por nuk na falet të shohim ideale atje ku ka interesa; rrjedhimisht nuk na falet të besojmë symbyllazi se të huajt nuk dinë të bëjnë gjë tjetër, veçse të kurojnë me kujdes të mirën tonë. Ah, po, të huajt ndërhyjnë seriozisht veç kur plas ndonjë luftë civile, por edhe në këtë rast për të pajtuar gjakrat e për të mos e lënë impaktin e luftës të përcillet përtej kufijve, e jo për të kryqëzuar ndokënd apo për të shenjtëruar ndokënd tjetër. Ne kemi përvojën e krizës së vitit 1997, nga e cila do duhej të kishim mësuar se e shumta që të huajt bëjnë (dhe kanë interes ta bëjnë) është të mbajnë gjendjen të qetë e nën kontroll. Me t’u arritur ky qëllim (këtë qëllim e arrijnë zakonisht me mbështetje në favor të qeverisë), ata e quajnë misionin të përmbushur. Ka akoma për t’u përmbushur? Kjo s’u takon atyre. U takon forcave e faktorëve lokalë. Shkurt, na takon neve. “Jo, jo, prit pak”, mund të thuhet, “pasi të huajt kanë luajtur një rol, dhe nuk ka qenë një rol dosido; ata kanë mbështetur qeverinë, e kanë lënë të kuptohet se nuk janë me opozitën; kjo ka bërë që pushteti të inkurajohet e të tentojë instalimin e një regjimi”. Po, kjo është e drejtë, por duhet thënë se “flirti” i të huajve me qeverinë nuk është një gjë e dhënë njëherë e përgjithmonë; sigurisht, ka diplomaci që motivohen prej ca interesave që sigurohen prej një qeverie të caktuar (fjala vjen, italianët e grekët kanë interes që Berisha të jetë aty deri sa të jetë gjallë), por s’mund të thuhet kjo gjë për diplomacinë daneze, britanike, apo holandeze; as për atë amerikane. Ca më shumë, nuk mund të thuhet kjo gjë për diplomacinë europiane (të BE-së), e cila mund të akuzohet sa të duash si diplomaci e hallakatur, ngalakaqe, ineficiente, por jo si diplomaci që sillet si fugë rrotull interesave. Kjo diplomaci nuk është (nuk ka pse të jetë) e prirur të mbështesë një qeveri si kjo e jona; kjo lloj diplomacie është duke pritur e kërkuar opozitën, një opozitë që jo vetëm garanton atë që garanton Berisha, d.m.th sjellje konstruktive në rajon dhe kontroll të territorit nacional, por edhe rendin demokratik, dhe sundimin e ligjit. Opozita e sotme nuk i ka dhënë ende këto garanci. Dhe opozita është lojtari kryesor në hartën e forcave e faktorëve lokalë. Ajo duhet të dijë, jo vetëm të grumbullojë konsensusin e shqiptarëve, por edhe të kandisë diplomacinë perëndimore se ka ardhur koha e saj. Ne jemi mësuar të kritikojmë diplomacinë ngaqë nuk mbështet opozitën, por do duhet të kritikojmë dhe këtë të fundit ngaqë nuk ka arritur t’u mbushë mendjen një grushti diplomatësh, se ajo vlen më tepër se sa një bandë që ka ndërtuar një regjim në Shqipëri. Gazeta “Shqip”