Tiranë, 13 shtator 2011, NOA- Sipas MeteoAlb, qarkullimi i masave ajrore nga Perëndimi i kontinentit do të kushtëzojë mot të qëndrueshëm në Ballkan si edhe në vendin tonë. Që në orët e para të ditës së nesërme moti i kthjellët do të jetë dominues në të gjithë territorin shqiptar. Mesdita do të sjellë kalim të vranësirave në të gjithë zonën malore të territorit. Edhe gjatë pjesës së dytë të ditës do të mbetemi në të njëjtat kushte meteorologjike ku bregdeti dhe zona e ulët do të vijojnë me kthjellime duke lënë zonat malore me alternime kthjellimesh dhe vranësirash. Në këto kushte të stabilitetit të atmosferës do te mbetemi edhe gjatë natës. Temperaturat e ajrit nuk do të pësojnë ndryshime në vlerat e mëngjesit por mesdita do të sjellë një rënie të lehtë të temperaturave në vend. Era do të fryjë e lehtë në tokë dhe në det me shpejtësi 22 km/h dhe drejtim Perëndimor duke bërë që deti të gjenerojë dallgëzim të ulët. Europa Nesër, pjesa më e madhe e kontinentit do të karakterizohet nga kushte të qëndrueshme atmosferike ku moti i kthjellët dhe vranësirat e herë pas hershme do të jenë dominuese. Përjashtim bëjnë Ishujt Britanike, Vendet Nordike, si edhe Europa Verilindore ku vranësirat dhe shirat do të mbeten prezente gjatë gjithë ditës në këto rajone. Shira të dendur në formë rrebeshi do të bien në Rusi dhe Skandinavi ndërsa sërish në zonën e Alpeve do të ketë grumbullim të vranësirave të cilat do të gjenerojnë shira të dobët por problematike do të paraqiten stuhitë e forta të erës.
Ngjarje ekstreme në Europë: - Vendet Nordike do të mbeten me shira dhe temperatura të ulëta - Vendet e Balltikut rrezikohen nga shira intensive dhe stuhi me rrufe - Skandinavia alarmon shira të dendur dhe stuhi të forta ere a.y/NOA