Tiranë, 13 shtator NOA- Raporti i Këshillit të Europës për zgjedhjet vendore të 8 majit në Shqipëri vlerëson se heqja e të drejtës për të mos numëruar votat e hedhura në kutitë e gabuara bie ndesh me parimet europiane. Ky është përfundimi në të cilin arrijnë dy anëtarët e KiE, Tomas Jirsa dhe Grigore Petrenco në dokumentin e hartuar pas vëzhgimit të zgjedhjeve në Shqipëri. Në një argumentim të gjatë të çështjes, raportuesit arrijnë në konkluzionin se nuk ka kufizime, në bazë të parimeve europane, për numërimin e vullnetit të qytetarëve. “Në lidhje me vlefshmërinë e votave, Kodi Zgjedhor shqiptar jep një listë të detajuar të kritereve për shpalljen e pavlefshme të fletës së votimit. Duke pasur parasysh detajet dhe kohëzgjatjen e kësaj liste, na u duk se ligjvënësit kishin për qëllim që kjo listë të ishte shteruese. Kjo u konfirmua nga një numër bashkëbiseduesish, të cilët na informuan se komiteti ndërpartiak, që ka hartuar Kodin Zgjedhor, donte të vendoste një listë të qartë të kritereve për shpalljen e votave të pavlefshme, në mënyrë që të mos japin asnjë diskrecion mbi këtë çështje te komisionet e zgjedhjeve, pasi kjo ka qenë burim mosmarrëveshjesh në të kaluarën. Përveç kësaj, sipas standardeve europiane, duhet të ushtrohet kufizim maksimal në lidhje me pavlefshmërinë e votave. Për ne do të dukej që heqja e të drejtës së votimit të një votuesi për gabime rigoroze administrative do të binte ndesh me këtë parim. Argumente të ngjashme janë shprehur nga Kolegji Zgjedhor, kur ai vendosi për çështjen e fletëve të votimit të hedhura gabim. Dokumenti i cili është dorëzuar në Asamblenë Palamentare bënë dhe një pasqyrim të situatës aktuale politike dhe përmbushjes nga ana e Shqipërsë të kritereve për vendet anëtare të Këshillit të Europës. Rapoti thekson se ndikimi i ndërkombëtareve dhe perzencës së organizatave ndërkombëtare në Shqipëri ka shmangur konfliktin mes palëve. “Komuniteti ndërkombëtar ka vepruar në unison nën koordinimin e ambasadorëve të Bashkimit Europian, Shtetet e Bashkuara dhe OSBE-së. Kjo ka qenë e rëndësishme për të shmangur përshkallëzimin dhe ndërkombëtarizimin e konfliktit dhe ka kontribuar në pranimin përfundimtar të rezultatit të këtyre zgjedhjeve nga ana e palëve, duke përfshirë, më e rëndësishmja, votuesit shqiptarë. Ajo ishte dhe është e një rëndësie vendimtare për të ruajtur legjitimitetin e institucioneve vendore dhe respektin për vendimet e tyre për të zgjidhur mosmarrëveshjen zgjedhore. Prandaj, në të gjitha rastet, ne kemi theksuar nevojën që të gjitha palët të pranojnë e të përmbahen nga vendimet e gjykatave dhe të përmbahen nga deklaratat që mund të perceptohen si minim i legjitimitetit të Gjyqësorit shqiptar”, thuhet në raport. a.k/NOA