English

Reforma Zgjedhore, Stonestreet në Tiranë: Nisni zbatimin e rekomandimeve

Tiranë, 13 shtator 2011, NOA – Pas publikimit një muaj më parë të raportit final të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 8 majit me vlerësimet dhe rekomandimet për zgjedhje të lira e të drejta ka mbërritur në Tiranë kreu i misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë Jonathan Stonestreet. Kryefjala e takimeve të amerikanit Stonestreet me krerët e politikës shqiptare, Presidentin, kryeministrin, shefin e opozitës dhe ministrin e punëve të Jashtme si dhe përfaqësues të tjerë është zbatimi sa më shpejt i rekomandimeve të këtij raporti. Në konferencën për shtyp pranë ministrisë së Jashtme, pas takimit me kryediplomatin Edmond Haxhinasto, shefi i vëzhguesve ndërkombëtarë i bëri thirrje politikës shqiptare të nisë pa humbur kohë kryerjen e reformës zgjedhore. Stonestreet duke iu referuar faktit se reforma zgjedhore duhet të jetë gjithëpërfshirëse pra të ketë konsensusin e të gjithë krahëve uroi që ajo të jetë gati për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vitin 2013. Në këtë suazë shefi i misionit të OSBE/ODIHR-it apeloi që palët të punojnë mirë e të mos nxitohen, pasi reforma zgjedhore është tejet e rëndësishme për zgjedhjet që ato të jenë të drejta dhe të pakontestueshme. Shpresojmë të nisë procesi për reformën zgjedhore Gjatë deklaratës së tij të shkurtër Stonestreet garantoi mbështetjen e OSBE/ODIHR-it për reformën zgjedhore. Shefi i misionit të ODIHR-it Jonathan Stonestreet do të ketë takime të shumta në Tiranë edhe me krerë të partive parlamentare, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përfaqësues të Shoqërisë Civile dhe Trupin Diplomatik. Kjo vizitë vjen si një përpjekje për të arritur bashkëpunimin politik dhe dialogun konstruktiv për nisjen e reformës zgjedhore si një reformë gjithëpërfshirëse dhe zbatimin aty të rekomandimeve të ODIHR-it. mit/NOA

Në Foto: Shefi i misionit të OSBE/ODIHR-it, Jonathan Stonestreet

KOMENTE