English

Rrezikoi të digjte Libohovën, arrestohet zjarrvënësi

Gjirokastër, 13 shtator, NOA – Zjarri i ndezur nga një 27 vjeçar ka rrezikuar të kthehet në një fatkeqësi për banorët e qytetit të Libohovës dhe të fshatit Nepravisht në Qarkun e Gjirokastrës. Alion Verda, ka dashur të djeg kullotat e bagëtive për të larguar shkurret, por flaka i ka dalë nga kontrolli, duke bërë një dëm kolosal në pyjet e zonës. Fillimisht janë djegur pesë hektarë pyll me pisha. Më pas flakët janë afruar dhe në lagjet e para të qytetit Libohovë. Ndërhyrja e zjarrfikësve në lagjen “Marinë” ka bërë që të shmanget më e keqja, djegia e shtëpive. Ndërsa dëmi në pemë është mjaft i madh. E rrezikuar ka qenë dhe lagja e poshtme e fshatit Nepravishtë. Zjarri ka zgjatur dy ditë dhe vetëm në datën 12, kur në ndihmë të repartit zjarrfikës ka ardhur edhe një automjet zjarrfikës i ushtrisë, situata arriti të vihej nën kontroll . Ngjarja është ndjekur dhe nga Prefektja e Qarkut Gjirokastër Mimoza Çomo, si dhe Drejtori i Policisë së Qarkut Gjirokastër, Drejtues i Parë Emri Vata. Në mesnatë zjarri është lokalizuar dhe pothuaj është fikur plotësisht pa shkaktuar dëme në pronën dhe banesat e banorëve. Nga ana e Policisë krahas kontributit të dhënë në shuarjen e zjarrit, janë kryer të gjitha veprimet proceduariale dhe hetimore ku në përfundim ka rezultuar se personi i dyshuar për këtë vepër penale është Alion Verda. Ndaj tij rëndon akuza e “Shkatërrimit të Pronës me Zjarr”. Pas arrestimit, ndaj tij kanë nisur procedurat penale.

Foto: Pamje nga zjarri në afërsi të Libohovës

a.k.NOA

KOMENTE