English

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ngre alarmin për gjendjen kritike të mediave shqiptare

Deklaratë e posaçme nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë për gjendjen kritike financiare e sociale në mediat shqiptare Tiranë, 13 shtator 2011 NOA - Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, përmes kësaj deklarate, shpreh shqetësimin e vet për gjendjen kritike financiare dhe përkeqësimin e vijueshëm të saj në shumicën e televizioneve, redaksive të gazetave, periodikëve dhe agjencive informative të vendit. Kjo gjendje, me kah përkeqësues, shprehet edhe në situatën e rrethanat ekzistenciale në të cilën gjenden, aktualisht, shumica e gazetave ditore të vendit, shumica e kanaleve televizive (përjashto disa kryesorë), shumica e periodikëve etj. Shprehje e kësaj situate është edhe mbyllja e disa mediave, ndër të cilat së fundi, edhe revista e njohur “MAPO”, apo lënia pa punë e stafit të televizionit A-1. Sipas ankesave të ardhura, nga gazetarë, anëtarë të Unionit të Gazetarëve të Shqiptarë, në pesë kanale televizive, vonesat e pagave mujore shkojnë nga një deri në katër, e pesë muaj. Ndërkohë që për shkak të krizës financiare, që rëndon, mbi buxhetet e administratorëve dhe pronarëve të mediave, po vihen re shkurtime dhe largime gazetarësh nga puna. Në këtë proces kritik dhe të kontestuar, për mënyrën dhe kriteret sesi po kryhet, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh reagimin e vet kritik, nga që, në rrethana të paargumentuara profesionale janë larguar nga detyra emra të njohur të gazetarisë së sotme. Po përmendim këtu ata më të fundit e larguar, si Agim Pipa, Anila Basha, Eni Vasili etj., ndërkohë që pas mbylljes së disa prej mediave të sipërcituara, aktualisht, kolegë të nderuar dhe të njohur për përfaqësimin e përhershëm cilësor e profesional të tyre, si Skënder Minxhozi, Ben Andoni, Ervin Qafëmolla, Lorenc Vangjeli etj., janë të detyruar të përballen me një situatë të re financiare, duke shtuar radhët e homologëve të mëparshëm. Theksojmë se në të gjitha rastet, gazetarët e mbetur në këtë situatë papunësie, nuk përfitojnë asnjë mundësi mbështetëse financiare. Rikthimi i herëpashershëm i kësaj praktike, ne si Union i Gazetarëve Shqiptarë na shtyn të ri-kërkojmë me këmbëngulje nga Parlamenti, nga Qeveria dhe partnerët tanë, punëdhënësit mediatik, që në kuadër të ligjit të ri për mediat audiovizive dhe atij për shtypin e shkruar të përfshihen edhe nene që garantojnë mbrojtjen financiare dhe përkrahjen sociale të gazetarëve profesionistë. Në këtë tablo kritike të mediave dhe gazetarëve shqiptarë përfshihet edhe situate problematike që paraqitet në mediat lokale të vendit, ku reporterët dhe stafet redaksionale shpesh trajtohen si skllevër dhe e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në marrëdhënie arbitrariteti skandaloz. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh shqetësimin edhe për tendencën në rritje të administratorëve dhe drejtuesve të mediave për të rekrutuar në vend të reporterëve dhe gazetarëve me përvojë e cilësi profesionale student amatorë të gazetarisë. Kjo praktikë jo vetëm që e bën edhe më të pacilësueshme gazetarinë tonë, por prek, në thelbin e vet, misionin drejt-informues që ka një media profesioniste në një shoqëri demokratike. e.t/NOA

KOMENTE