English

20 vjetori i “Friedrich Ebert”, Berisha: Fondacioni ndihmë për integrimin

Tiranë, 14 shtator 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- I pranishëm në 20 vjetorin e krijimit të fondacionit gjerman “Friedrich Ebert”, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohje për kontributin e tij. Ai e cilësoi veprimtarinë e fondacionit në 20 vite si një periudhë që përkon me pluralizmin shqiptar 20 vjeçar dhe sipas tij gjatë kësaj kohe bashkëpunimi është përqendruar në fushat më të rëndësishme të jetës së vendit. Sipas tij njerëzit e këtij fondacioni të cilët punojnë në Shqipëri janë të angazhuar dhe të preokupuar për shoqërinë shqiptare. “Kemi patur një bashkëpunim të ngushtë me fondacionin që nga koha e krijimit të Partisë Demokratike dhe ky bashkëpunim ka vijuar edhe gjatë viteve të opozitës. Fondacioni “Friedrich Ebert” solli kontribut real për krijimin e dialogut dhe bashkëpunimit në vend si dhe në legjislacion, edukim dhe në një spektër shumë të gjerë. Ky fondacion asnjëherë nuk është lodhur duke bërë të gjitha përpjekjet e tij në funksion të shoqërisë dhe vendit. Unë jam shumë i lumtur për punën e bërë në këtë vend dhe ju siguroj se vlerësoj shumë kontributin gjatë këtyre viteve, një kontribut jo vetëm në Shqipëri por edhe në forcimin e lidhjeve që kemi me vendin tuaj”, u shpreh Berisha. Në vijim ai shtoi se ky fondacion është i angazhuar për të ndihmuar vendin drejt rrugës së integrimit europian dhe ky sipas tij është projekti më madhor i Shqipërisë. Në këtë linjë ai shtoi se, “Rruga nuk është e lehtë por do t’ia dalim me ndihmën e miqve tanë dhe Shqipëria me një proces tërësisht të merituar do të bashkohet me BE-në”. a.y/NOA

KOMENTE