English

DASH: Kosova ka respektuar lirinë e besimit

Uashington, 14 shtator 2011, NOA – Në kapitullin mbi Kosovën, raporti i Departamentit amerikan të Shtetit vëren se autoritetet kanë respektuar në përgjithësi lirinë e besimit si përmes kodit ligjor ashtu edhe në praktikë. Raporti vëren se gjendja e lirisë së besimit nuk ka shënuar ndryshime gjatë periudhës që mbulohet nga kjo analizë. “Shqetësimet kryesore të ngritura nga udhëheqësit fetarë lidhen me pengesa praktike që rrjedhin nga proceset e pavolitshme për regjistrimin e vetë organizatave fetare, si dhe të pasurive të patundshme apo pronave të tjera të këtyre subjekteve. Komuniteti protestant këmbëngul se vazhdon diskriminimi institucional nga qeveria qendrore dhe autoritetet lokale”, thuhet në raportin e DASH-it publikuar mbrëmjen e të martës. Ndër ankesat që ngre ky komunitet, bën pjesë mohimi i kërkesës për të krijuar një varrezë protestante. Sipas raportit, protestantët thonë se nuk janë lejuar të ndërtojnë një kishë në komunën e Deçanit në një tokë të blerë nga ky komunitetet fetar. Ndryshe nga raportet e mëparshme, Departamenti amerikan i Shtetit vëren në raportin e fundit se nuk ka patur njoftime për sulme kundër personelit të Kishës Ortodokse Serbe. “Incidentet më shqetësuese janë regjistruar gjatë pelegrinazheve të besimtarëve ortodoksë në kisha ortodokse në Kosovë, kur autobusët me pelegrinë janë qëlluar me gurë”, nënvizon raporti. Raporti i Departamentit të Shtetit thekson se megjithëse në mungesë të bazës ligjore, siç pohoi edhe Zyra e Ombudsmanit (Avokatit të Popullit), Ministria e Arsimit nxorri një urdhëresë administrative për të ndaluar mbajtjen e shamive të kokës, të traditës myslimane për vajza. Raporti i Departamentit të Shtetit vëren se nuk ka pasur shkelje të lirive fetare në vend dhe se nuk ka të burgosur ose të ndaluar për arsye fetare. Raporti vlerëson se diskriminimi social apo aktet e dhunshme, duken të jenë me motive etnike, por fakti që shpesh komunitetet janë të ndarë në baza etnike aq sa edhe fetare, e bën të vështirë ndarjen e qartë të motiveve, thuhet në raport. VOA/NOA

KOMENTE