English

Doganierët kosovarë në Veri të Kosovës nga 16 shtatori

Prishtinë, 14 shtator 2011, NOA – Nga 16 shtatori, pra nga e premtja e kësaj jave në dy vendkalimet kufitare në veri të Kosovës në kufi me Serbinë autoriteti ekzekutiv do t’i takojë autoriteteve doganorë të Kosovës. Ky vendim është bërë i qartë dje nga kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, i cili konfirmoi vendosmërinë e qeverisë së Kosovës për të vendosur juridiksionin e saj në dy doganat në veri të Kosovës dhe të nisë atje zbatimin e planit për rihapjen e vendkalimeve kufitare 1 dhe 31 përkatësisht në Jarinje dhe Bërnjakë. Shefi i ekzekutivit të Kosovës sqaroi se autoriteti ekzekutiv i Kosovës në këto dy vendkalime do të vendoset me mbështetjen e logjistike të EULEX-it, ndërsa sigurinë do ta garantojnë forcat e KFOR-it. “Mesazhet kërcënuese të strukturave ilegale dhe kriminale janë të pafuqishme, për të ndalur angazhimin dhe vendosmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre ndërkombëtare, për të implementuar këtë proces”, nënvizoi Thaçi. Sipas tij as strukturat ilegale e kriminale në veri e as Beogradi nuk do të mund të kenë as rolin më të vogël për të ndaluar vendimin e qeverisë së Republikës së Kosovës dhe autoriteteve ndërkombëtare për të zbatuar marrëveshjen për vulat doganore në pikat 1 dhe 31. “Definitivisht do të ketë rend dhe ligj”, deklaroi kryeministri i Kosovës. Deklarata e kryeministrit të Kosovës ka vënë në lëvizje autoritetet serbe, të cilët paralajmëruan se do të reagojnë menjëherë nëse Prishtina zyrtare do të përpiqet të vërë nën kontroll vendkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjakë. mit/NOA

Në foto: Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi

KOMENTE