Edi Rama mori pjesë në prezantimin e librit “Tranzicion apo Trashëgimi” të shkrimtarit Daut Gumeni, i burgosur politik i diktaturës për afro çerek shekulli dhe njëri ndër zërat e pavarur të mjedisit të sotëm publik. Në fjalën e tij z.Rama nder te tjera tha: ”Unë nuk kam ardhur këtu si kryetar i opozitës, por si një ndër njerëzit që kam pasur fatin ta njoh Dautin në ditët e para të ringjalljes nga ferri ku për afro çerek shekulli e kyçi regjimi komunist. Çerek shekulli të kaluara në një izolim të plotë, pas një gjyqi i cili është një ndër dëshmitë më rrënqethëse dhe më spektakolare të kurajos njerëzore përballë atij regjimi. Ajo kurajo Dautit i kushtoi plot 23 vjet të jetës së tij. Nga ana tjetër vetëm përballë njerëzve si Dauti, që janë shumë pak, s’ka asnjë vlerë statusi i kryetarit të opozitës, me të cilin më prezantuan, sepse Dauti si pak të tjerë është lideri i opozitës morale të këtij vendi. Një opozitë që fatkeqësisht është e dobët në numër, e dobët në zë, për shkak se janë të pakët ata që e kanë dhe e përçojnë kurajën për të qenë vetvetja pavarësisht rrethanave dhe kushteve”. Foto: NOA/LSA