English

Faleminderit Daut!

Unë nuk kam ardhur këtu si kryetar i opozitës, por si një ndër njerëzit që kam pasur fatin ta njoh Dautin në ditët e para të ringjalljes nga ferri ku për afro çerek shekulli e kyçi regjimi komunist. Çerek shekulli të kaluara në një izolim të plotë, pas një gjyqi i cili është një ndër dëshmitë më rrënqethëse dhe më spektakolare të kurajës njerëzore përballë atij regjimi Nga Edi Rama Ajo kurajo Dautit i kushtoi plot 23 vjet të jetës së tij. Nga ana tjetër vetëm përballë njerëzve si Dauti, që janë shumë pak, s’ka asnjë vlerë statusi i kryetarit të opozitës, me të cilin më prezantuan, sepse Dauti si pak të tjerë është lideri i opozitës morale të këtij vendi. Një opozitë që fatkeqësisht është e dobët në numër, e dobët në zë, për shkak se janë të pakët ata që e kanë dhe e përçojnë kurajën për të qenë vetvetja pavarësisht rrethanave dhe kushteve. Nga një burg makabër si ai i Burrelit, Dauti ka kaluar në një burg tjetër, që është burgu i ëndrrave të para dhe i shpresave të ushqyera në çerek shekulli errësirë dhe që sot, pas 20 vjetësh, mund t’i gjejë e ushqejë vetëm duke ndjekur frymëzimin poetik, duke shkruar poezi për të krijuar një realitet ku mund të jetojë i çliruar nga prangat mizerabël të kushtëzimeve të një shoqërie që quhet e lirë dhe demokratike, por që në fakt është një shoqëri në kalbëzim të vazhdueshëm. E në këtë aspekt, më takon të them sot se i jam mirënjohës Dautit, personalisht, sepse besoj që jeta e një njeriu më shumë sesa diplomat dhe sesa karriera janë takimet me fat. Takimi me Dautin në kapërcyellin e viteve ‘90 ka qenë një nga takimet më me fat për mua, sepse ka qenë një burim i jashtëzakonshëm inkurajimi, duke parë në sy betejën për të vërtetën e mishëruar jo në një libër apo në një dokument kujtimesh të të tjerëve, po në fytyrën, trupin, fjalët, veprën jetësore të një njeriu. Dua ta falënderoj Dautin për gjithçka ka arritur të bëjë në rrugën e tij të stërmundimshme e cila nuk mbaroi fatkeqësisht me fundin e regjimit që i mori atij lirinë, por u stërzgjat siç është stërzgjatur për shumëkënd, e në radhën më të parë është stërzgjatur për ata që ishin të burgosurit e vërtetë të ndërgjegjes. Për ata që i syrgjynosën, sepse nuk pranuan të uniformizohen. Për ata që vuajtën në lëkurën e tyre dhe në lëkurën e gjithë familjarëve të tyre torturat e pashembullta të cilat fatkeqësisht këto 20 vjet nuk kanë ndihmuar që t’i harrojnë. Përkundrazi, kanë bërë për këta njerëz kalimin nga tragjedia në farsë të një historie që në fakt në thelbin e vet është një histori që përsëritet. Përsëritet jo më në formën e saj tragjike, po në formën e saj komike, një komedi e zezë dhe e hidhur. Komedi që të bën të qeshësh me pezmatim. Dhe e gjithë vepra e Dautit, jo poezia ku ai ka gjetur ishullin ku arratiset pa vizë shumë kohë përpara heqjes së vizave, po publicistika është pikërisht kjo e qeshur me pezmatim. E qeshura e tij me pezmatim është një tjetër shprehje e kurajos së jashtëzakonshme. Pra i mbetem përgjithnjë mirënjohës Dautit jo vetëm për atë që bën shoqërisht, por edhe për atë që mua më ka dhënë personalisht. Kjo është arsyeja pse unë erdha sot këtu si mik e si qytetar, jo si kryetar i opozitës. Kjo është edhe arsyeja pse pavarësisht se sa shpesh apo se sa rrallë takohemi me Dautin unë e konsideroj atë një nga udhëheqësit e gjithhershëm të opozitës morale shqiptare. Një ndër ata shembuj tek të cilët shumë nga ata që i thonë vetes intelektualë sot mund të gjejnë pasqyrën për t’u skuqur nga turpi, por që fatkeqësisht për shoqërinë nuk kanë më asnjë mundësi as të skuqen sepse turpin e hanë përditë me bukën e pushtetit. Faleminderit Daut! * Fjala e mbajtur sot në prezantimin e librit “Tranzicion apo Trashëgimi” të shkrimtarit Daut Gumeni, i burgosur politik i diktaturës për afro çerek shekulli dhe njëri ndër zërat e pavarur të mjedisit të sotëm publik

KOMENTE