English

Hysen Pulaku, nënkampion i dyfishtë i kontinentit për të rinjtë

Bukuresht, Rumani, 14 shtator 2011 NOA/ Altin Kodra - Shqipëria ka marrë edhe dy medalje të tjera në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes, që po zhvillohet në Bukuresht, pasi Hysen Pulaku është shpallur nënkampion i dyfishtë i kontinentit për të rinjtë. Kjo e çon bilancin e kuqezinjve në këtë Evropian të shtangës në një medalje ari, dy argjendi dhe 3 bronzi. Peshëngritja shqiptare vazhdon të mbajë lart flamurin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, pasi të martën Hysen Pulaku është shpallur nënkampion i dyfishtë i Evropës për të rinj, në Kampionatin Evropian të t ë Rinjve dhe 23-vjeçarëve, që po mbahet në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht. Pulaku e ka nisur mirë stilin e shkëputjes, duke ngritur me sukses 145 kg në provën e parë, si dhe 150 kg në atë të dytën. Ndonëse ka dështuar me 156 kg në të tretën, kur mbase mund të kishte provuar një peshë më të ulët, Pulaku ka marrë vendin e dytë dhe medaljen e argjendtë në stilin e shkëputjes. Ndërsa në shtytje, ai ka dështuar në provën e parë me 178 kg, por ka guxuar me 180 kg në atë të dytën, duke e ngritur me sukses këtë peshë që e mbante në pozicionin e medaljes. Por lufta e ashpër në këtë stil e ka detyruar atë të provojë, fatkeqësisht pa sukses, 188 kg në provën e tretë. Kjo ka bërë që ai të renditet i 5-ti në stilin e shkëputjes, por 330 kg e ngritura në total, i kanë dhënë atij vendin e dytë dhe medaljen e argjendtë edhe në dygarësh. Dy medaljet e argjendta të Pulakut, krahas medaljes së artë të marrë në stilin e shkëputjes nga Daniel Godelli, dhe 3 medaljeve të bronzta të marra në konkurrimin e 23-vjeçarëve nga Briken Calja, e kanë çuar në 6 numrin e medaljeve që Shqipëria ka marrë në këtë Kampionat Evropian. a.k/e.t/NOA ME POSHTE GJENDET TABELAT PER TRE PESHENGRITESIT SHQIPTARE

KOMENTE