Strasburg, 14 shtator 2011, NOA - Presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso ka dhënë një vlerësim të zymtë lidhur me krizën në Eurozonë, duke bërë thirrje për përpjekje më të mëdha për të ardhmen e politikës ekonomike në Europë. Gjatë fjalës së mbajtur në Parlametin Europian, Barroso deklaroi se rajoni po përballet me sfidën më serioze të këtij brezi. “Kjo është një luftë për punë dhe prioritet në familjet tona, në të gjitha vendet anëtare. Kjo është një luftë për të ardhmen politike dhe ekonomike, një luftë për atë ç`ka Europa është në botë. Kjo është një sifidë për integrimin europian në vetvetë”, deklaroi Barroso. Sipas tij, shumë shpejt KE do të paraqesë një opsion për futjen në treg të eurobondeve. Edhe më pesimist ka qënë ministri polak i Financave, Jacek Postoeski, duke deklaruar se Evropa është në rrezik për shkak të krizës së borxhit të Eurozonës. “Nëse zona euro çahet, BE nuk do të jetë në gjendje të mbijetojë, me të gjitha pasojat që mund të imagjinojmë. Kriza aktuale, nëse vazhdon në mënyrë kaq të paparashikueshme, do të ketë pasoja të mëdha, dhe shifrat e papunësisë do të jetë dy herë më lartë edhe në vendet e pasura”, theksoi ministri polak. a.q/NOA