English

Kompetitiviteti, Berisha: Shqipëria ndër 20 vendet e para të botës

Tiranë, 14 shtator 2011, NOA - Kryefjala e mbledhjes së sotme të qeverisë ishte progresi ekonomik i Shqipërisë, për të cilin kryeministri tha se është meritë e reformave të qeverisë. Kryeministri Sali Berisha solli gjatë mbledhjes së qeverisë rezultatet e treguesit global të kompetitivitetit, i publikuar një javë më parë nga forumi ekonomik global. “Progresi i Shqipërisë gjatë 4 viteve të fundit është i admirueshëm. Nga pozicioni i 109 Shqipëria ka mbërritur në të 79-in, duke ngjitur dhjetë shkallë, dhe kjo ngjitje nuk është arritur lehtë, por me vështirësi serioze, e që realizohet mbi të gjitha me zbatimin e reformave”, deklaroi gjatë mbledhjes së qeverisë zoti Berisha. Përveç ngjitjes së admirueshme që ka bërë Shqipëria nga viti në vit, kryeministri bëri me dije edhe të dhëna të tjera që sipas tij janë shumë domethënëse. Kryeministri Berisha nënvizoi se janë një seri treguesish, me të cilat Shqipëria renditet në 20 vendet e para të botës, duke lënë mbrapa vende të zhvilluara sa u përket disa sëmundjeve si tuberkulozi, SIDA etj, një problem madhor për vendet e zhvilluara. “Në epiqendër është qytetari dhe mirëqënia e tij, që dëshmon zemrën e dhimbsur të kësaj qeverie, fytyrën sociale të reformave tona. Ne jemi ndër më të paktat qeveri që kemi rritur me 3 përqind faturën e GDP-së për spektrin social. Të mos harrojmë se në 8 vite ‘97-2005 janë vendosur 13.8 miliardë lekë për rritjen e pensioneve, ndërsa nga 2006 e këtej janë vendosur mbi 50 miliardë lekë për rritjen e pagave dhe kjo është e vërteta, janë shifra të pakundërshtueshme. Ne do të vijojmë t’i rritim rrogat e pensionet”, premtoi kryeministri. Ai tha se Shqipëria pozicionohet në vendin e tetë në botë në treguesit e të drejtës ligjore, ndërsa tha se një tregues tjetër e rendit Shqipërinë në vendin e nëntë në botë dhe kjo është barra e rregullimeve shtetërore. “Pra ne jemi ndër 10 vendet me barrën më të vogël të ndërhyrjes së qeverisë. Kjo përbën një nga arritjet më të mëdha, pasi në raportet qeveri-qytetar, qeveri-biznes nuk ka asgjë më domethënëse se ky tregues”, tha ai, duke theksuar se edhe pse qeveria shqiptare është e vogël të gjitha përpjekjet e saj për të zhdukur pengesat burokratike janë rezultative duke e renditur vendin në dhjetëshen e parë në botë. “Shqipëria renditet e nënta në botë sa i përket fillimit të biznesit”, theksoi kryeministri duke nënvizuar se politika e rritjes së pagave ka rregulluar raportin që ekziston mes produktivitetit dhe mirëqenies. “Produktiviteti është dhe s’është prosperitet, dhe kjo është një nga të dhënat kryesore të studimeve mbi të. Është në detyrën e reformave të qeverisë që atë ta shndërrojë në prosperitet. Shqipëria renditet në vendin e 17-të në botë në harmonizimin e pagave me produktivitetin”, shtoi kryeministri. Ai vlerësoi se politika e ndjekur për rritjen e pagave ka qenë agresive, por ka dëshmuar këtë qeveri në grupin e 20 qeverive më të mira në përpjekjen e saj për të vënë në raport të drejtë produktivitetin me prosperitetin. Sipas kryeministrit ky tregues krahas treguesit të zhvillimit social të botuar nga UNDP përbën treguesin më themelor të koordinimit të besimit dhe progresit të zhvillimit të vendeve të botës. “Indeksi i ri i kompetitivitetit global ka një histori jo të gjatë. Ka 12 shtylla ky tregues dhe deri më tani është treguesi që bazohet në një univers treguesish të agjencive ndërkombëtare”, nënvizoi Beerisha. Ai u tha ministrave që është jashtëzakonisht e rëndësishme që në dritën e kësaj analize të analizojnë punën e të gjitha ministrive që drejtojnë. mit/NOA

KOMENTE