English

Marrëveshja, doganierët kosovarë në dogana pas heqjes së embargos ndaj Serbisë

Prishtinë, 14 shtator 2011, NOA – Pas marrëveshjes së arritur të premten e shkuar nga Qeveria e Kosovës me KFOR-in, EULEX-in dhe BE-në për hapjen e pikave kufitare 1 dhe 31 në veri mësohet se doganierët kosovarë do të jenë vetëm vëzhgues dhe jo autoritet ekzekutiv. Sipas marrëveshjes komandantët e portave do të emërohen nga Qeveria e Kosovës dhe do të kenë nga një asistent në dy doganat dhe një në polici. Por, ata, sipas marrëveshjes, do të jenë vetëm vëzhgues dhe nuk do kryejnë asnjë punë praktike në pikat kufitare. Gazeta Koha Ditore bën me dije se Qeveria e kryeministrit Thaçi nuk ka pranuar të sqarojë hollësitë e marrëveshjes, por bazuar në detajet e zbuluara nga burime ndërkombëtare, doganierët dhe policët e EULEX-it që do të vendosen në këto pika do të kryejnë funksionet ekzekutive në dy vendkalimet dhe nuk do të marrin urdhra nga zyrtarët kosovarë. Zbatimi i kësaj marrëveshjeje, përkatësisht vendosja e doganierëve, do të ndodhë kur Qeveria e Kosovës të heqë embargon ndaj mallrave të Serbisë. Burime ndërkombëtare kanë paralajmëruar që vendosja e doganierëve do të vihet në pikëpyetje nëse Prishtina dhe Beogradi nuk fillojnë zbatimin e marrëveshjes për vulat dhe shkëmbimin e mallrave. “Në këtë mënyrë mund të zvarritet edhe zbatimi i marrëveshjes”, i ka thënë gazetës në kushte anonimiteti një diplomat ndërkombëtar i akredituar në Prishtinë. Megjithatë, marrëveshja do t`i japë fund gjendjes së zonës ushtarake, pasi në të do të vendoset policia e EULEX-it. Edhe nëse fillon qarkullimi mallrave, fillimisht doganierët do të vendosen vetëm në portën 31 në Bërnjak, pasi ajo në Jarinje për shkak të djegies nga grupe kriminale ende nuk e ka infrastrukturën e nevojshme që t’u mundësojë doganierëve të kryejnë punën e tyre. Përgjegjësinë për zbatimin e marrëveshjes e kanë marrë KFOR-i dhe EULEX-i. Sipas marrëveshjes, KFOR-i do të merret me zhbllokimin e rrugëve, ndërsa EULEX-i me vendosjen dhe mbrojtjen e zyrtarëve në porta. Burime qeveritare kanë shpjeguar se, sipas marrëveshjes, komandantë të portave do të jenë shqiptarët. Fillimisht një të tillë do ta ketë porta në Bërnjak, e pastaj edhe ajo në Jarinje. Koha Ditore/NOA

KOMENTE