English

Mbahet në Stamboll Kongresin e XIX Botëror mbi Sigurinë dhe Shëndetin në Punë

Stamboll, 14 shtator 2011, NOA – Një delegacion i Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, me në krye Ministrin Spiro Ksera, mori pjesë në punimet e Kongresit të XIX Botëror mbi Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, mbajtur në Stamboll, në datat 11-15 Shtator 2011. Takimi pesëditor sjell së bashku më shumë se 3 000 politikëbërës dhe ekspertë industrialistë nga mbi 100 vende, për të diskutuar çështje të tilla si marrja e masave për rritjen e sigurisë dhe shëndetit në punë, si dhe forcimin e dialogut social dhe partneritetit në këtë fushë. Kongresi deklaroi, për herë të parë, se e drejta për një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm në punë duhet të njihet si e drejtë themelore e njeriut. Kongresi u parapri nga Samiti i Ministrave të Punës, në datën 11 shtator, i cili doli me një deklaratë të përbashkët në të cilën u vu theksi në dosmosdoshmërinë e gjenerimit të politikave për përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve të punës dhe promovimin e të drejtave të punëtorëve për një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm në punë. Sipas deklaratës, “ndërtimi dhe promovimi i një sigurie të qëndrueshme kombëtare parandaluese dhe kulturës shëndetësore duhet të sigurohet nëpërmjet një sistemi të përcaktuar të të drejtave, përgjegjësive dhe detyrave, ku prioritet i jepet parimit të parandalimit, në të cilin janë përfshirë në mënyrë aktive qeveritë, punëdhënësit dhe punëmarrësit”. Ministri Ksera, gjatë ditëve të Kongresit u takua dhe bisedoi edhe me homologun turk, z.Faruk Çelik. Dy Ministrat biseduan për forcimin e bashkëpunimit mes dy ministrive në fushën e sigurisë në punë dhe fushat e tjera që mbulojnë dy institucionet. Ministri Çelik, duke vlerësuar me nota mjaft positive zhvillimet ekonomike në Shqipëri, e cila së bashku me Turqinë dhe ndonjë vend tjetër evropian kanë arritur të kenë rritje positive gjatë periudhës së krizës ekonomike globale, shprehu dëshirën për të vizituar vendin tonë dhe për të parë më nga afër këtë zhvillim dhe për t’u njohur me ecurinë e reformave të Qeverisë. a.q/NOA

KOMENTE