English

Rama-Berisha, incident diplomatik në “Sheraton”

Tiranë, 14 Shtator 2011 NOA/ Ervin Tirana – Ishte një skenë që la shije të keqe e që zgjati disa sekonda, sonte në hotel “Sheraton” në Tiranë, kur ambasadorja e Gjermanisë, dështoi teksa përpiqej mëse një herë të afronte Ramën dhe Berishën për të shtrënguar duart mes tyre. Pamjet ishin vërtet të siletshme. Ambasadorja që kapte nga duart Edi Ramën (ne foto) dhe ai refuzonte të afrohej një metër më afër ku gjendej Berisha, i cili mëse indiferent, po ashtu nuk lëvizi as sytë për të pranuar kërkesën e ambasadores. Momentet vazhduan kur ambasadorja këmbënguli edhe një herë tjetër, duke iu afruar sërish Edi Ramës dhe kapur atë për duarsh, që të afrohej tek Berisha dhe t’i jepnin dorën njëri-tjetrit. Edhe këtë herë, përpjekja dështoi. Ajo që kërkoi të bënte ambasadorja Carola Müller –Holtkemper, nuk ishte asgjë tjetër, veçse një shtrëngim duarsh mes atyre që quhen dy liderët e politikës shqiptare. Kurse si Rama dhe Berisha, as që e vunë “ujët në zjarr” duke shënuar kështu një incident diplomatik me ambasadoren gjermane, në prani të shumë të ftuarve dhe mediave, në pritjen për 20 vjetorin e Fondacionit Fridrih Ebert në Shqipëri. E përkundër dëshirës së ambasadores që dy politikanët armiq të përbetuar verbalist, të thyenin akujt e sherreve politike, Edi Rama ka shfrytëzuar mundësinë e mbajtjes së një fjalimi, për të fyer publikisht kryeministrin. E thënë ndryshe, ishte një tallje jo më shumë me Berishën, sesa nxjerrje e bojës së shqiptarëve. “Le të shpresojmë që kriza ekonomike të mos ndikojë në financimin që shteti gjerman i bën këtij fondacioni, se as nuk bëjmë dot gjë për ta ndihmuar në rast shkurtimi të fondeve. E thashë këtë se kam edhe hall mos shkon deri në Berlin fjala e Saliut që thotë se Shqipëria është sot ekonomia e dytë më e fortë në Europë pas Gjermanisë! Do ishte vërtet punë dreqi”. Kështu deklaroi z.Rama në fund të fjalës së tij, duke u pasuar nga batutat e Berishës si kundërpërgjigje. Ajo që pamë sonte, tregoi dhe një herë, se politika shqiptare ka goxha nevojë të piqet politikisht. e.t/NOA

KOMENTE
  • shoku00:07 - 15 Shtator 2011
    pazaret e shtepise nuk dalin ne pazar por rama katere kete kohe qe ben propaganden per ti nxjere dhe nxire faqen shqiperise te mjere dhe populli mos shohe kure dyerte e evropes mjer ky popull ruaje zot nga te cmendurit