English

Rama: Opozita është e dobët në numër

Tiranë, 14 shtator 2011, NOA – Kryetari i PS, Edi Rama ka pohuar gjatë një aktiviteti letrar se opozita shqiptare është e paktë në numër. I pranishëm në promovimin e librit të Daut Gumenës, “Tranzicion apo trashëgimi”, një ish i burgosur politik Rama tha se Dauti si pak të tjerë është lideri i opozitës morale të këtij vendi, duke iu referuar 23 viteve të burgut të bëra prej tij. “Një opozitë që fatkeqësisht është e dobët në numër, e dobët në zë, për shkak se janë të pakët ata që e kanë dhe e përçojnë kurajën për të qenë vetvetja pavarësisht rrethanave dhe kushteve”, ka deklaruar kryesocialisti Rama. Duke e cilësuar veten si qytetar e jo si politik Rama tha se pavarësisht kalimit të viteve tragjedia për ata që vuajtën në burgje të përsëritet. “ Përsëritet jo më në formën e saj tragjike, po në formën e saj komike, një komedi e zezë dhe e hidhur. Komedi që të bën të qeshësh me pezmatim. Dhe e gjithë vepra e Dautit, jo poezia ku ai ka gjetur ishullin ku arratiset pa vizë shumë kohë përpara heqjes së vizave, po publicistika është pikërisht kjo e qeshur me pezmatim. E qeshura e tij me pezmatim është një tjetër shprehje e kurajos së jashtëzakonshme. Kjo është edhe arsyeja pse pavarësisht se sa shpesh apo se sa rrallë takohemi me Dautin unë e konsideroj atë një nga udhëheqësit e gjithëhershëm të opozitës morale shqiptare. Një ndër ata shembuj tek të cilët shumë nga ata që i thonë vetes intelektualë sot mund të gjejnë pasqyrën për t’u skuqur nga turpi, por që fatkeqësisht për shoqërinë nuk kanë më asnjë mundësi as të skuqen sepse turpin e hanë përditë me bukën e pushtetit”, ka deklaruar kryetari i PS. a.q/NOA

KOMENTE