English

Reforma Zgjedhore, Stonestreet: Raporti ynë u mirëprit, koha për hapa konkretë

Tiranë, 14 shtator 2011, NOA/Irma Toptani – Pas takimeve të djeshme në Tiranë me krerët më të lartë të politikës, përfaqësues të partive, KQZ-së e shoqatave civile që monitorojnë zgjedhjet ku ripërsëriti nevojën për nisjen sa më parë të punës për reformën zgjedhore, shefi i misionit të OSBE/ODIHR-it Jonathan Stonestreet deklaroi se tashmë është koha për hapa konkretë. Vetëm pak minuta më parë në një prononcim për mediat, Stonestreet tha se pas një axhende të ngjeshur takimesh ai ndihej i kënaqur që të gjithë përfaqësuesit politikë e kanë mirëpritur raportin e misionit ndërkombëtar për zgjedhjet lokale të 8 majit, me vlerësimet dhe rekomandimet për zgjedhjet e ardhshme. “Ne punuam shumë gjatë procesit të zgjedhjeve që të kishim një raport faktik e të vërtetë, dhe besoj se është shumë e rëndësishme që ky raport i mirëpritur të shihet si një udhërrëfyes për nisjen e punës për reformën zgjedhore”, deklaroi Stonestreet. Kreu i misionit të OSBE/ODIHR-it bëri me dije se të gjitha partitë e garantuan se janë të interesuara të nisin punën për reformën zgjedhore, dhe të nisin ndryshimet në kod, në mënyrë që ato të jenë gati për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2013. “Procesi i reformës zgjedhore është tejet serioz dhe shumë i rëndësishëm në mënyrë që të kthehet besimi tek zgjedhjet, pasi ato në fund të fundit bëhen për popullin”, nënvizoi shefi i misionit të OSBE/ODIHR-it. Sipas Stonestreet të gjithë aktorët e politikës shqiptare ranë dakord që ky proces të jetë gjithëpërfshirës, ku të marrin pjesë edhe parti joparlamentare. Në këtë suazë ai garantoi se ODIHR-i mbetet i gatshëm të japë asistencë nëse këtë e kërkojnë autoritetet shqiptare. Ai tha se asistenca e ODIHR-it mund të vijë në formën e rishikimit të amendamenteve të propozuara, apo pjesëmarrjen për konsulencë. “Besoj se të gjithë ndërkombëtarët janë të interesuar që të bëjnë të pamundurën në arritjen e zgjedhjeve të lira në Shqipëri. Ky është vetëm fillimi, por unë e shoh si një shenjë pozitive dhe falenderoj të gjithë aktorët, se folën në mënyrë shumë të hapur me ne”, theksoi shefi i misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë. I pyetur rreth leximit të raportit të OSBE/ODIHR-it në forma të ndryshme lidhur me parregullsitë në zgjedhjet në Tiranë, Stonestreet sqaroi se vëzhguesit në raportin final i janë referuar disa parregullsive në qendrat e numërimit, por jo detyrimisht vetëm në Tiranë. Ai shpjegoi se dalja e raportit final të ODIHR-it para vendimit zyrtar për zgjedhjet nga ana e KQZ-së, është një rast që njihet edhe në vende të tjera. “E vërtetë që raporti doli para raportit zyrtar të KQZ-së, por ne e dhamë në një kohë të arsyeshme. Kjo është diçka që ndodh jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera raporti i ODIHR mund të dalë më herët se vendimi zyrtar i zgjedhjeve”, tha Stonestreet. I pyetur për situatën politike në Shqipëri gjatë procesit të zgjedhjeve në Tiranë, Stonestreet tha se “Situata në vend ishte e pazakontë për shkak të afërsisë me vota të kandidatëve, dhe ishte një proces që ndodhte në një moment tejet të polarizuar politik”, vlerësim ky i cilësuar edhe në raportin final të OSBE/ODIHR-it i publikuar në muajin gusht. Duke folur për këtë vizitë në Tiranë, shefi i misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë tha se kjo është një praktikë e re e OSBE/ODIHR-it duke shtuar se vizita sipas tij u mirëprit jo vetëm nga mazhoranca, por edhe opozita. mit/NOA

KOMENTE