English

Berisha: Investimet bënë që të arrihet në kryeqytet me 60 % kohë më pak

Lushnje, 15 shtator 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Kryeministri i vendit Sali Berisha inauguroi pasditen e sotme rrugën Pushimi i Shoferit- Divjakë, me gjatësi 24 kilometër dhe me vlerë 1.2 miliardë lekë. Në fjalën e mbajtur me këtë rast Kreu i Qeverisë theksoi se përfundimi i rrugës jo vetëm që u vjen në ndihmë fermerëve, por për këtë zonë hap dhe një perspektive të jashtëzakonshme turistike. Kryeministri Berisha i ftoi banorët që të shfrytëzojnë pasuritë që u ka falur natyra për të shtuar jo vetëm prodhimet bujqësore, por edhe për të mbjellë sa më shumë ullinj dhe drurë frutorë. Më tej, Kryeministri Berisha kërkoi nga kryetari i komunës së Remasit dhe komunave të tjera përreth që të hartojnë me shpejtësi masterplanin për zhvillimin e turizmit. Sipas tij, kjo rrugë u mundëson atyre të kapin tregun e Lushnjës, të Tiranës dhe tregjet e tjera të vendit me mundimin më të paktë dhe kohën më të shkurtër si dhe hap një perspektive të jashtëzakonshme dhe të shkëlqyer turistike. Më tej ai shtoi se rruga që inaugurohet sot është njëkohësisht, dhe pjesa perëndimore e unazës së fushës së Myzeqesë, pasi segmenti tjetër Krutje – Fier Shegan ka përfunduar me kohë dhe në tërësi kjo ka një trajektore prej 49 kilometra. “Me një përpjekje të përbashkët ne çdo vit ndryshojmë dhe do të ndryshojmë jetën tonë. Sot pensionet e fshatit janë mbidyfishuar. Kemi një sistem të ri shkollash e kopshtesh. Unë ju garantoj se ritmet e kohërave që vijnë do të jenë edhe më të shpejta. Nuk ka qëllim më fisnik dhe më jetik për secilin prej jush, për qeverinë, për vendin në tërësi, se sa mëkëmbja juaj e vazhdueshme. Ju keni shndërruar fermat tuaja në ferma suksesi, por duhet të jetë në shpirtin tonë që kurrë të mos kënaqemi me ato që kemi arritur, por të shohim se çfarë do të mund të arrijmë më shumë”, u shpreh ai. Duke iu drejtuar kryetarit të Komunës Berisha theksoi se, tani që rruga është ndërtuar dhe është kaq e mirë, ju takon kryetarëve të komunave që të bëjnë me shpejtësi masterplanin për zhvillimin e turizmit, në mënyrë që çdo gjë këtu të zhvillohet sipas një planimetrie, sipas një urbanistike më njerëzore të mundshme. Ndër të tjera ai theksoi se sot Shqipëria është ndër vendet më të pakta në Evropë dhe në botë që nuk është gjunjëzuar nga kriza. Në këtë linjë ai tha se, “Shqipëria nuk është gjunjëzuar dhe nuk do të gjunjëzohet nga kriza, për dy arsye kryesore: së pari, për djersën lum që derdhni ju çdo ditë në punë në këtë vend dhe së dyti, për reformat e shkëlqyera që ka ndërmarrë qeveria shqiptare. Ju garantojmë se me këto reforma do të bëjmë gjithçka që puna juaj të jetë një sukses i vërtetë. Ne do të bëjmë përpjekje të mëdha që këto investime të dy dhe trefishohen, të shndërrohen në rroga, të shndërrohen në punësim, të shndërrohen në pasuri për qytetarët shqiptarë. Ekonomia shqiptare është një ekonomi solide, e cila këtë vit do të ketë një rritje rreth 5 për qind”. Ai shtoi se në sajë të investimeve po bëhet e mundur që qytetarët shqiptarë kudo që janë të arrijnë në kryeqytet maksimumi me 60 % kohë më pak seç kanë shpenzuar para se të kemi pasur këtë rrjet rrugor. Sakaq rruga, e ndërtuar sipas standardeve bashkëkohore, u shërben 50 mijë banorëve të zonës dhe pritet të ndikojë në zhvillimin e bujqësisë, agrobiznesit, etj. a.y/NOA

KOMENTE