E enjte, 15 shtator 2011, NOA- Ndonëse kanë kryer krime atyre nuk u është privuar e drejta për tu arsimuar, kështu 163 nxënës kanë nisur ciklin shkollor në 5 shkolla të hapura në gjithë vendin. Mësohet se viti i ri shkollor i ciklit 9-vjeçar në 5 institucione penale në vend, në Peqin, Korçë, Fushë-Krujë, Vaqarr dhe Institutin e të Miturve Kavajë ka nisur. Drejtoritë përkatëse të institucioneve në bashkëpunim me Drejtoritë Rajonale të Ciklit Shkollor Parauniversitar, kanë marrë të gjitha masat e duhura, për ofrimin e mundësisë së arsimimit edhe në vendet e vuajtjes së dënimit, duke filluar me sigurimin e bazës materiale dhe përcaktimin e mësuesve të cilët do të ushtrojnë profesionin në këto institucione. Në total, janë regjistruar 163 persona me liri të kufizuar për të ndjekur procesin mësimor. Më konkretisht në Fushë-Krujë janë regjistruar 34 të burgosur për frekuentimin e mësimit, në Korçë janë regjistruar 50 të burgosur, në Peqin janë regjistruar 37 të burgosur, në Vaqarr janë regjistruar 16 të dënuar. Ndërsa në Institutin e të Miturve në Kavajë janë regjistruar për të ndjekur procesin arsimor në ciklin e ulët 12 të dënuar dhe në ciklin e lartë 14 të dënuar. Procesi arsimor në këtë institucion do të jetë me kohë të plotë dhe do të zhvillohet nga 4 mësues të Zyrës Rajonale Arsimore Kavajë. Aplikimi dhe hapja e sistemit 9-vjeçar mësimor, është bërë e mundur në sajë të marrëveshjes së bashkëpunimit të lidhur midis Ministrisë së Arsimit e Shkencës dhe Ministrisë së Drejtësisë në vitin 2008. Shkolla e parë është hapur në IEVP Peqin. a.y/NOA