English

Jahjaga: Të zbatohet rendi në Kosovë, serbët të respektojnë marrëveshjet

Prishtinë, 15 shtator 2011, NOA- Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga zhvilloi një takim me Kryeministrin e vendit Hashim Thaçi në kuadër të kthimit të saj nga vizita në Hungari. Gjatë këtij takimi Thaçi, e informoi për planin operacional të Qeverisë së Kosovës për funksionalizimin e pikave doganore në kufirin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Nga ana e saj Jahjaga i dha mbështetje të plotë planit të Qeverisë së Kosovës për implementimin e vendimit qeveritar për Marrëdhëniet Tregtare me Serbinë, që sipas saj është plotësisht i koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare dhe që është rezultat i marrëveshjes së arritur në Bruksel në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, që u ndërmjetësua dhe miratua nga BE-ja. “Vënia në funksion e doganave është veprim legal dhe legjitim i mbështetur nga faktori ndërkombëtar dhe nga misioni i KFOR-it dhe EULEX-it në Kosovë, të cilët do të japin mbështetjen dhe ndihmën e plotë, në kuadër të mandatit të tyre, në zbatimin e rendit dhe të ligjit në Republikën e Kosovës”, u shpreh Presidentja e Kosovës. Në vijim ajo ftoi qytetarët që të përkrahin këto masa të Qeverisë duke kërkuar nga autoritetet e Serbisë që të heqin dorë nga manipulimet me ndjenjat e qytetarëve dhe të respektojnë marrëveshjet për të cilat vetë janë dakorduar në dialogun e zhvilluar në Bruksel. a.y/NOA

KOMENTE