English

Kosovë, Rasmunsen: Paqja në veri, e pacënueshme

Prishtinë, 15 shtator 2011, NOA - Sekretari Përgjithshëm i NATO-s, Anders Rasmussen ka thënë në Prishtinë se Aleanca Veri Atlantike nuk i përkrah vendimet e njëanshme të institucioneve të Kosovës, por i ka dhënë mbështetje Qeverisë për të mos kthyer në situatën që ka qenë më herët. Pas takimit që ka pasur me Kryeministrin Hashim Thaçi, Rasmussen ka deklaruar se nuk ka kthim prapa pasi NATO ka investuar për dymbëdhjetë vjet për rend dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës. Rasmunsen nuk ka komentuar planet operative të NATO-s, por është zotuar se trupat e KFOR-it do të veprojnë në bazë të mandatit, duke mos e mohuar edhe përdorimin e forcës. Ai nuk ka dhënë detaje të operacionit që pritet të zhvillohet për zbatimin e planit për rihapjen e pikave doganore nga 16 shtatori, por tregoi vendosmërinë e KFOR-it që nuk do të lejojë të cenohet paqja në Kosovë. “Nuk do të komentoj për operacionin, detajet e tij, por trupat e KFOR-it do të veprojnë në vetëmbrojtje dhe në atë që e thashë për të garantuar një ambient të qetë dhe sigurtë”, theksoi Rasmussen. Kryeministri Thaçi përsëriti qëndrimin e Qeverisë se plani për vendosjen e doganierëve dhe policëve në Veri do të zbatohet sipas paralajmërimeve të mëhershme – më 16 shtator. Ai ka thënë se Qeveria nuk e ka në plan të përdorë dhunë ndaj qytetarëve të Veriut, por është zotuar se strukturat ilegale dhe kriminale do të ballafaqohen me ligjin. a.q/NOA

KOMENTE