Tiranë, 15 shtator 2011, NOA/ Albana Qehajaj - Policia Bashkiake e Tiranës ka rritur kontrollet për zhurmat në qytet, duke kërkuar respektimin e rregullave dhe afateve për lokalet që punojnë me volume të larta të muzikës në orët e vona të natës, gjë që ka sjellë shqetësimin e banorëve të kryeqytetit. Vetëm mbrëmjen e djeshme, Policia Bashkiake ka ushtruar mbi 30 kontrolle duke marrë masat përkatëse, konkretisht duke fikur pajisjet që shkaktojnë zhurmë. Vendimi 587 i Këshillit të Ministrave, neni 3, përcakton orarin dhe nivelin e lejuar të zhurmave të lokaleve në qytet. Kështu, për lokalet e hapura, ditën e premte dhe të shtunë, zhurma e lejuar është e përcaktuar sipas standardeve të pranueshme dhe mund të aplikohet nga ora 19.00-24.00. Ndërsa për ditët e zakonshme të javës orari i lejuar është 19.00-23.00. Ndërsa ambjentet e mbyllura nuk kanë kufizim të orarit, por duhet të respektojnë nivelin e lejuar të zhurmës në mënyrë që të mos shkaktojnë shqetësim në komunitet. Policia Bashkiake u bën thirrje operatorëve dhe menaxherëve të lokaleve në kryeqytet që të respektojnë orarin dhe nivelin e zhurmave. Policia Bashkiake do të ushtrojë kontrolle çdo ditë për të siguruar qetësi dhe zbatimin e standarteve për zhurmat në Tiranë, si dhe do të marrë masa sipas ligjit ndaj atyre që thyejnë normat. a.q/NOA