Tiranë, 15 shtator 2011, NOA – Kur mbeten vetëm dy javë nga nisja e regjistrimit të popullsisë sipas përkatësisë etnike dhe fetare, i njohur nga qeveria me emrin Censusi i popullsisë dhe banesave, kryeministri Sali Berisha ka lëshuar një tjetër deklaratë ndaj kundërshtarëve të këtij procesi duke i akuzuar ata si njerëz që keqpërdorin pushtetin për qëllime meskine. Duke iu referuar kundërshtarëve të ligjit të mbledhur në Aleancën Kuq e Zi, kreu i ekzekutivit e cilësoi këtë lëvizje si faqezezë dhe aspak në shërbim të kombit, ndërsa deklaratat e tyre si atavike. Sipas kryeministrit çdokush në një vend demokratik ka të drejtë të shpallë qëndrimet e veta ndaj një procesi, por këtë duhet ta bëjë pa keqpërdorur pozitën aktuale shtetërore. Ky grusht duket se më së shumti shkoi kundër nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu, i cili që në krye të herës ka dalë haptas kundër këtij projekti të qeverisë duke e cilësuar atë si një projekt që nuk i shërben interesave të kombit por vetëm shtetit helen. Në një fjalim të mbajtur gjatë inaugurimit të Qendrës së Skanimit dhe Përpunimit të të Dhënave të Censusit, e financuar nga Komisioni Evropian, shefi i qeverisë duke falenderuar KE-në për mbështetjen ndaj projektit, e cilësoi regjistrimin e popullsisë dhe përkatësisë etnike dhe fetare të saj si një akt madhor dhe themelor për ecjen e Shqipërisë dhe nënshtetasve të saj përdrejt lirisë së shprehjes së identitetit të tyre personal. Madje sipas kryeministrit shprehja e lirë e përkatësisë etnike dhe fetare flet edhe për zhvillimin e qytetarëve të një shoqërie. Këtu kryeministri theksoi se regjistrimi i popullsisë do të realizohet me teknologjinë më moderne dhe nën dritën e standardeve më bashkëkohore evropiane. “Regjistrimi i popullsisë i vitit 2011 është më i veçanti në historinë e vendit për vetë faktin se do të jetë i pari regjistrim i lirë pas atij në fillimet e mbretërisë shqiptare” u shpreh kryeministri. Sipas tij regjistrimi i popullsisë do t’i shërbejë thelbësisht transmetimit të të dhënave të sakta të qytetarëve shqiptarë duke mundësuar kështu edhe shpërndarjen më të drejtë të të ardhurave buxhetore në vend. Në këtë suazë ai garantoi se censusi do të kryhet nën një monitorim të plotë. mit/NOA