Pas aksidentit të të martës që për pak nuk i mori jetën, një punëtori shqiptar në Rimini i është dashur të përballet edhe me drejtësinë italiane, sepse nuk ka leje qëndrimi. Reagon CGIL Romë, 15 shtator 2011 – Nëse do të kishte dalë nga pena e një shkrimtari, ngjarja e Riminit nuk do të kishte pasur të paktën ritmet marramendëse të realitetit. Punonjësi shqiptar që ditën e martë, më 13 shtator, u gjet i plagosur në një kantier në qendër të qytetit të Riminit, kaloi shumë pak kohë në spital, - raporton faqja “Shqiptari i Italisë”. Pas mjekimit të plagëve të ndryshme që pati marrë nga rrëzimi i disa tubave të një skele ndërtimi, ai është paraqitur në Gjykatë. Vetëm një ditë pas aksidentit që mund t’i merrte jetën, ai u përball më drejtësinë. Duke mos pasur dokumente qëndrimi, e aq më shumë që në janar të vitit 2007 ishte shoqëruar një herë në kufi me fletë dëbimi, 50-vjeçari shqiptar përfundoi në pranga. Prandaj ka pranuar me kompromis që dënimin prej pesë muajsh e dhjetë ditësh burgim, me dënim të pezulluar. Por nyja që duan të zgjidhin tani organet gjyqësore, forcat e rendit dhe Asl e Riminit është arsyeja se pse ai u gjet nga kalimtarët nën një grumbull tubash të një skele, në një kantier ku nuk kishte këmbë njeriu. Hipoteza e parë dhe më ë mundshme është që edhe punëtorët e tjerë të kenë qenë në të zezë dhe sapo ka ndodhur aksidenti janë larguar. Gjatë seancës gjyqësore, punëtori shqiptar deklaroi se ndodhej në kantier për të takuar disa të njohur. Si firma e ndërtimit ashtu edhe ajo që po transportonte tubat e skelës në çmontim, janë pronë e sipërmarrësve shqiptarë. Pas arrestimit të punëtorit shqiptar, ka pasur një reagim të fortë nga ana e CGIL nëpërmjet Fillea (Federata Italiane e Punonjësve të Drurit, Ndërtimit dhe të Ngjashëm). Sekretarja e seksionit të Riminit të kësaj Federate, Gabriella Baldini deklaron se episodi është një sinjal alarmues dhe se si ka mundësi që në qendër të Riminit ishte ngritur dhe vepronte pa problem një kantier jo i rregullt.