English

Berisha: Kam presione pse jemi te Konferenca Islamike, si u përgjigjem

Tiranë, 16 Shtator 2011 NOA/ Ervin Tirana – Kryeministri pranon publikisht se ai përballet me presione nga Perëndimi, për faktin që Shqipëria është anëtare e Konferencës Islamike. “Një grup parlamentarësh nga një vend mik, më shprehu shqetësimin më të madh, se pse Shqipëria është anëtare e Konferencës Islamike? Përgjigjja që dhashë ishte: “Burri i parë i shteti në botë që më ka përgëzuar ka qenë Papa Gjon Pali i II dhe këtë mesazh përgëzimi e dërgoi, sepse ishte i bindur në domosdoshmërinë dhe nevojën e dialogut, midis popujve me besime të ndryshme”. Deklarata e kryeministrit u bënë sot pasdite vonë, në Asamblenë e Përgjithshme të Komisioneve Drejtësi dhe Paqe të Evropës, me temë “Marrëdhëniet ndërkulturore dhe ndër fetare, mundësi dhe sfidë për një të ardhme të përbashkët. Një kontribut i Shqipërisë për ndërtimin e Evropës”. Konferenca ishte të organizuar nga Komisioni Drejtësi dhe Paqe i Shqipërisë. Ky Komision është një Organizatë Katolike e themeluar në vitin 96 nga Fretërit Françeskanë me qendër në qytetin e Shkodrës dhe President i saj është Angelo Massafra, Arqipeshkëv Shkodër - Pult. Në këtë aktivitet ndërkombëtar dy ditor marrin pjesë përfaqësues nga të gjitha Komisionet Evropiane Drejtësi dhe Paqe, si dhe përfaqësues të autoriteteve më të larta fetare dhe shtetërore, trupit diplomatik, si dhe intelektualë dhe specialist të ndryshëm të fushës. Duke treguar këtë ankesë të parlamentarëve të huaj dhe përgjigjen që u dha, kreu i qeverisë ka treguar sesi antiislamizmi i disa politikanëve është bërë shqetësim që nuk kalohet lehtë për Tiranën zyrtare. E sigurisht kjo provohet dhe me faktin se vendi ynë prej shumë vitesh prezantohet në mbledhjet e Konferencës Islamike, vetëm me nivele të ulëta përfaqësimi. Në këtë pikë, z.Berisha u ka bërë të qartë edhe diçka tjetër të pranishmëve të sotëm: “Nuk ka nderim më të madh se ata që i besojnë Zotit, sesa të respektojnë besimin e tjetrit, që i lutet të njëjtit Zot”. Kryeministri duke folur për temën e aktivitetit vlerësoi se në kohën e sotme, kohë në të cilën realisht kryqëzohen lloje të shuma krizash, ky dialog, ky debat, kjo përpjekje bëhet shumë herë më e rëndësishme. “Ky dialog, kjo përpjekje, ky mision, është i një rëndësie nevralgjike, sepse sërish duhet të pranojmë, se muret e padijes krijojnë përshtypje dhe hendeqe tërësisht të pamerituara midis besimeve, apo midis kulturave, midis kombeve me besime të ndryshme. Ndaj dhe është për tu admiruar përpjekja juaj të nderuar drejtues dhe anëtarë të këtij komisioni, përpjekja e udhëheqësve shpirtëror në tërësi, për të promovuar këtë çështje të rëndësishme jetike, për paqen dhe mirëkuptimin shoqëror edhe midis kombeve”. e.t/NOA

KOMENTE