Danimarkë, 16 shtator 2011, NOA - Zgjedhjet parlamentare në Danimarkë kanë nxjerrë fituese opozitën. Koalicioni i majtë me qendrën me kandidaten socialdemokrate, Thorning-Schmidt ka siguruar shumicën në parlamentin e ri. Koalicioni i së djathtës i cili kryesohet nga kryeministri Rasmussen ka pësuar humbje. Katër milionë qytetarë danezë votuan të enjten për parlamentin e ri. Kështu kryetarja e partisë socialdemokrate Helle Thorning-Schmidt do të jetë kryeminstria e parë femër në historinë e Danimarkës, dhe e para pas dhjetë vitesh nga socialdemokratët, pas një dekade qeverisjeje nga forcat politike të qendrës së djathtë. "Jam shumë e lumtur, është një ndjenjë e papërshkrueshme, por jam shumë e lumtur, pasi është vërtetë e jashtëzakonshme" dekaloi Thorning-Schmidt, pak para shpalljes së rezultatit. Diferenca mes koalicioneve ishte shumë e vogël. Qendra e majtë arriti të fitonte 89 vende në parlament, ndërsa rivalët e tyre të djathtë morën 86 vende. a.q/NOA