English

Gjeoshkencat, si gjenerali në luftë apo oficeri në paqe

Nga Sazan Guri Gjeologjia, si asnjë prej shkencave të tjera, ka pasur një prej misioneve më të mëdha ndaj njerëzimit, ndoshta dhe më fisnikun. Çfarë? Duke i dhënë njerëzimit, atë që nuk e njeh. Si? I mëson njerëzimit, atë se ç’mund të ndodhë. Qysh? I jep rrugët, sesi mund ta rregullojë atë që ndodh. Pse? I jep atë që është më e shtrenjtë për të gjithë ne, mbrojtjen e mijëra milionave jetë njerëzish. Fantastike! Lindur e udhëtuar bashkë me njeriun. Keni dëgjuar besoj, që zhvillimi i njerëzimit matet me epoka si ajo e gurit, e bronxit, e bakrit e hekurit, pra, me elementët që nxirrnin dhe përpunonin nga dhèu-mëmë (dhèmetër), ndaj dhe qysh nga koha e pellazgut të largët, fjalët e para të njerëzimit, jo rastësissht lidhen me termat gjeologjik, si gjeo-dheu, log-fjalë, gur, mal, xehe (mineral, nga fjala nxehet), etj., pastaj vonë-vonë me përpjekjen e helenëve të ardhur, një sërë toponimeve iu arrit t’i shtoheshin ca neoterma, si nga gur e mal në gurospetra e orosmal. Nejse, kjo është çështje tjetër. Por, ajo që na shqetëson, më saktë na dhemb, është sesi gjeologjia xehe (kërkimet në male për minerale), sikundër dhe ajo hidrokarbure (kërkime në fusha për naftë, gaz e ujë), katandisen si ushtar të zënë rob. Nga një vend, ku me naftën e kromin çaje bllokadën, duke mos u ndalur te termi dhe kuptimi i asaj kohe, por te e vërteta që me anë të tyre siguroje Bursën e asaj kohe, Kleringun e atyre që këtij vendi i mungonin, sot është kthyer në një haur, ku po nga këto pasuri, ca pakkush-a, xhepat fryjnë dhe ca të tjerë Bursat luajnë. A e dini të dashur politikanë, se vendburimet në ranorët e Marinzës, Kucovës, Visokës janë qindra vjeçarë, dhe sot ato shfrytëzohen me metoda barbare, o burra jepi se do ikim për 20-25 vjet, pra për dhjetëra vjeçarë, (jo më kot, Mbreti këto tip koncessione i jepte 99 vjet). A e dini të dashur ligjvënës, se në vendburimet e kromit po merren çeliqet (kollonat që mbajnë shtresat e tokës). A e dini të dashur qytetarë, se shpimet për ujë bëhen edhe nga karpentierë? A e dini të dashur vendimmarrës, se studimet për depozita karburantesh bëhen edhe nga arkitekt. A e dini ju të dashur të mëdhenjt e vendit, se janë 150,000ha tokë që rrëshqasin çdo ditë, apo erozioni që rrjep skalpin e tokës që na ushqen 10mm në vit dhe jo 1mm në 10 vjet. Po që shtresa e marrjes së zhavoreve është puq me Milon apo me shtresën bazë të lumenjve. Po që deti, si askund tjetër vend në botë, dhe si në asnjë rast të kohërave gjeologjike gryen edhe në grykëderdhjet e lumenjëve, pa lë gërryerja midis deltave, se edhe ndodh. Po që përmbytjet në Shkodër nuk përbëjnë fatkeqësi natyrore, por tashmë që njihen janë budallalleqe njerëzore. Të gjitha këto janë çështje, ekspertësh dhe institucionesh gjeologjie, që rreken duke i zbërthyer rastet e mësipërme, jo rrotull një pike, siç rëndom ndodh nëpër ekranet tona (psikolog, gazetar, sociolog), as vërdall një plani, siç rëndom ndodh me yesmenët e pushtetit, por e shohin në volum apo në hapësirë tre dimensionale, madje nuk mungojnë as të mëdhenjt e tyre, (kanë ikur shumë, gjene kanë ngelur shumë), që i zbërthejnë problemet e mësipërme me katër dimesione, duke i matur e kllatur me parametrin kohë. I tillë ka qenë Instituti i Naftës, Fier, aktiviteti i të cilit u shuajt do vite më parë, që ujqërit të shëtisin në mjegull. I tillë ishte edhe Instituti i Gjeoshkencave, Tiranë, aktiviteti i të cilit po rrudhet, që delet të mos kenë dash, sepse tash e tëhu ai do të kthehet në një grup brenda grupit të matjes së kohës, që ndonjë bukuroshe pastaj të bëj parashikimet e erozionit, parashikimet e rrëshqitjeve, të tërmeteve, sikundër bëjnë nëpër ekranet ato të motit. Mirëpo, për shumë syresh në politikbërje që nuk dinë ku shkojnë, për ta nuk ka rëndësi as era, as nafta, e as kromi, e as bakri, e as më i shtrenjti ujë. Ndaj dhe nuk duan të dëgjojnë më, as kohën nga një ushtarak. E kini vënë re garën e miseve të kohës nëpër ekranet tona?!. Po ti o kryetar Komune apo ti Kryetar Bashkie që ke fatin në dorë të bashkëqytetarëve e bashkëfshatarëve të tu, morëpo të fëmijve të tu, ku duhet të vesh kur të zë halli i fatkeqësive natyrore? Te jatroi apo të ai qe voi. Po te gjeologu do vesh, pra tek ai që voi, sepse strategjitë drejtohen nga politikanët, por taktikat nga ekspertët, ndaj dhe poshtë kokës së Presidentit (megjithëse ca nga ju as atë nuk mbajnë) duhet të mbash hartën e gjeorreziqeve, që të dish të mos japësh leje ndërtimi në byth të rrëshqitjes apo në kokë të tërmetit. Por, edhe sepse këtë vend që ja kemi borxh Zotit që e stisi për të parët tanë, që paskëtaj e ndërtuan të diturit tanë, që paskëtaj e ruajtën patriotët tanë, e kemi ne djemtë e saj për detyrë që gjallë ta mbajmë. Por, edhe sepse, në hartimin e politikave e të programeve prioritare të zhvillimit të vendit, shteti ka nevoje të dijë në çdo kohë, se cili është potenciali i pasurive kombëtare në shkallë vendi e krahine dhe cilat janë perspektivat e zhvillimeve ekonomike mbështetur në këto pasuri. Askush nuk mund t’ia plotësojë shtetit këtë nevojë, si një gjeneral i vërtetë në kohë lufte (rast fatkeqësish) dhe oficer në kohë paqe (rast studimesh, prognozime, etj.), veç një Institucioni si ai i Gjeoshkencave. Se edhe Napoleoni ka patur një rast, kur anashkaloi shkencëtarët, por një rast ama, kur mendoi para se të kalonte Pirenejt, se paraja bën luftën ose me idenë e Qeveritarëve apo bizneseve tona sot, se me para çan gjithçka. Në kalim e sipër, kur ngeci tha: thërrisni shkencëtarët për mendje dhe gomarët për ngarkesë. Kësisoj, zoti parlamentar, jepi Cezarit atë që i takon, sepse veçse të mbron. Kësisoj zoti politikan, vendose gjeologjinë në piedestalin e vet, që ta kesh krah të djathtë për jetë. Kësisoj zoti Kryeministër, nëse më lejon t’ju kujtoj diçka që lidhet edhe me fushën Tuaj sa rrinë bashkë spitalet me dentistët, aq mund të rrinë edhe gjeologjia me kohën.

KOMENTE